TV OPOJA
Opinione

Rinia shqiptare në udhëkryqet e Europës

Shkruan: Miran Emini

Rinia është begatia më e çmueshme e një kombi. Një komb pa një rini të shëndoshë nuk ka perspektivë të ndritur.Rinia e popullit shqiptar ka kohë që gjendet në udhëkryqet e saja.

Ajo, sot është kapërthyer brenda një konfuzioni, apatie dhe të horizonteve të paqarta. Janë të shumtë faktorët që kanë diktuar këtë gjendje të rinisë shqiptare.

Gjithmonë është thënë se rinia është ardhmëria e një shoqërie, e një populli, e një shteti dhe në duart e tyre do të barten përgjegjësitë dhe obligimet për të udhëhequr, edukuar, zhvilluar dhe për të çuar përpara bashkësinë njerëzore.

Rinia shqiptare sot po kalon momente shumë të vështira dhe ashtu si i gjithë kombi shqiptar ndodhet në një udhëkryq të madh. Kërkon të ndërtojë të ardhmen e saj, por ndeshet me shumë probleme të cilat shpesh janë shumë të vështira për t’u zgjidhur.

Për një realitet të tillë, të gjithë jemi të bindur, mirëpo, si duket, kujdesi i më të vjetërve për t’i përcjellë përgjegjësitë e tyre në duart e një rinie të sigurt e të shëndoshë nuk mjafton fare. Kur them kështu, e kam fjalën për neglizhencën e pjesës dërrmuese të shoqërisë sonë, duke filluar nga prindërit, institucionet shkollore të ulëta e të larta, masmediat etj, nga të cilat vazhdon një shpërkujdesje e një neglizhencë e madhe në edukimin e mirëfilltë të rinisë sonë.

Amullia e realiteteve, apatia, konfuziteti dhe pa perspektiva që ka ngërthyer këtë shtresë më vitale të shoqërisë sonë, ka kushtëzuar që të orientohet në njëra nga horizontet që u mungojnë polet, pra këta faktorë kanë ndikuar që kjo shtresë më e nevojshme e kombit t’i lëshojë vatrat e tyre shumëshekullore dhe të shpërndahet nëpër metropolet e Evropës.

Kështu, fenomeni i mërgimit tek ne nuk është i kohës bashkëkohëse, mirëpo, për fat të keq, ky fenomen tek ne ka ekzistuar që nga të qenit e këtij kombi. Sot, ky fenomen i dhembshëm dhe tragjik është intensifikuar tej mase dhe ka marrë përmasa universale. Rinia shqiptare, më tepër se cila do shtresë është e mbërthyer brenda universit të këtij fenomeni.

Mërgimi është plagë e rëndë që në literaturën botërore quhet edhe si “live events” (ngjarje kritike në jetë). Në të vërtetë, çdo ndryshim i rrethit,përbën një sfidë, një lloj të ridefinimit, apo rishqyrtimit të identitetit. Duke pasur parasysh se vendbanimi i ri, si ai i mëparshmi, i mbetur tashmë histori e kaluar, janë pjesë e identitetit të njeriut; ndërrimi i vendbanimit e detyron personin që të aktivizojë resurset e përshtatjes në vendbanim të ri, e, në të njëjtën kohë,mbetet nostalgjia për të humburën, mbetet dhembja e shkëputjes nga atdheu.

Ky fakt, na detyron të themi se fati i shumë të rinjve shqiptarë ishte dhe është i lidhur ngushtë me aftësinë e tejkalimit të sfidave në realitetin e ri evropian, në mënyrën e re të të jetuarit, po ashtu edhe në përshtatjen e kushteve të jetës, punës, banimit, edukimit…

Fluksi i ikjes së rinisë shqiptare në vendet evropiane përmasat më shqetësuese i ka marrë sidomos gjatë viteve të ’90-ta, derisa ky popull gjendej nën hegjemoninë e okupatorit serb. Pra, kriza ekonomike, politike dhe shpërthimi i luftërave në ish-territorin artificial të federatës jugosllave, ndikuan më së shumti që numri i të rinjve shqiptarë të migrojë nëpër vendet e ndryshme të Evropës. Dhe ky fluks i të mërguarve të të rinjsh tanë mori përmasa marramendëse.

Vendosja e të rinjve tanë nëpër metropolet evropiane ishte e përcjellur me sfida të reja dhe të paparashikueshme, të cilët, deri me kontaktin më “botën e parajsës”, kishin pasur përfytyrim krejtësisht tjetër.

Pra, motivet të cilat nxitën rininë shqiptare për të migruar nëpër vendet të ndryshme të Evropës janë të shumta dhe nga më të ndryshmet. Shumica e të rinjve shqiptarë dëshironin ta braktisnin atdheun e tyre sepse nuk shihnin ndonjë perspektivë të ndritshme në atdheun e tyre. Për të rinjtë të cilin ishin pa ndonjë mbështetje në ato vende

perëndimore ku ishin strehuar paraqiteshin vështirësi nga më të ndryshmet deri në fatalitet. Ata, gjendeshin në udhëkryq më të ndjeshme dhe më të rrezikshme. Filluan makinacionet (të cilat edhe sot e kësaj dite janë prezent dhe kanë marrë përmasa nga më alarmuese), e tyre të ndryshme, si fejesat dhe martesat me mungesë dashurie, mirëpo me mbizotërimin e ndjenjave të interesit, si fejesat dhe martesat për vizë, ikje dhe largim i paligjshëm, kuptohet duke u ballafaquar edhe me rreziqe nga më të nduarduarta. Pastaj mbërthimi i tyre në lojërat nga më të rrezikshme, të përdorimit dhe shpërndarjes së drogës, të prostitucionit dhe të

veprimeve të tjera nga më të ulëta. Lakuriqësia e tepruar e femrave të reja të shfaqura, të manipuluara nga menaxherët e tyre, është një fenomen që vërtet ka marrë hov të madh në jetën e të rejave tona.

Aktualisht vlerësohet se janë disa mijëra vajza shqiptare të rëna në këtë mënyrë në rrethin vicioz të prostitucionit, që është një nga format më të ulëta të skllavërisë moderne. Dhe, më e keqja është se ky fenomen nuk po ndalet por po vazhdon me përmasa gjithnjë e më të mëdha, duke kompromentuar rëndë të ardhmen e rinisë dhe shoqërisë shqiptare.

Këto veprime dhe shumë të tjera, re e të cilave kanë rënë rinia shqiptare, kanë ndikuar edhe në tëhollimin e substancës së imazhit të vetë kombit shqiptar në ato vende ku jetojnë dhe veprojnë diaspora jonë. I gjithë ky fakt është, pra produkt i këtyre veprimeve të cilat përfshihet rinia shqiptare.

Edhe përkundër shumë sfidave të kohës dhe të fatit të rinisë shqiptare në diasporë,

një pjesë e kësaj rinie po bën përpjekje të mos përfshihet Brenda këtyre kornizave “të se keqes”, mirëpo kërkojnë rrugë të tjera të integrimit dhe të ndërtimit të së ardhmes së tyre. Pa dyshim, dihet mirëfilli se fillimi është jashtëzakonisht shumë i vështirë, i përcjellur me ndjenjat e inferioritetit dhe të tjera, mirëpo një pjesë të kësaj rinie të nxitur nga ndjenjat tjera të shëndosha, entuziazmi dhe dëshira për të ngarendur drejt një perspektive, po i mposht vështirësitë. Pra, është fakt i vërtetë se integrimi i rinisë së diasporës sonë ishte dhe është shumë i vështirë. Njëra nga arsyet tjera është se të rinjtë tanë kishin mërguar gjithnjë me shpresën se shpejt do të ktheheshin në vendlindjet e tyre, pa menduar fare për integrim në shoqëritë e reja.

Ishte një kohë euforike kur mendohej se rinia shqiptare dëshironte të kthehej në Kosovë. Sot e vërejmë se ajo eufori ka rënë, po të themi se është një iluzion.

Sot, një pjesë e të rinjve shqiptarë, të nxitur nga ndjenja që ndenja e dashurisë ndaj atdheut të tyre, vendlindjes së tyre të mos humbet dhe që të mos “shkëputen” përfundimisht nga atdheu, ata kanë gjetur format e tyre të veprimit dhe të integrimit në kuadër të shoqatave dhe shoqërive të ndryshme integruese. Kjo ndjenjë e integrimit të tyre, ka një rëndësi dhe rol të madh në histori. Edhe inkuadrimi i të rinjve shqiptarë nëpër aktivitete të

ndryshme kulturo-sportive, shoqërore e të tjera janë një element tjetër për takime, afrime, bashkime e bashkëpunime të të rinjve shqiptarë në diasporë.

Një pjesë tjetër e të rinjve shqiptarë është shndërruar në një “simbiozë” shqiptaro-evropiane. Pjesa dërmuese e këtyre të rinjve të cilët kanë rënë nën këto “kurthe” i janë “adaptuar” atyre realiteteve të cilat kanë mbërthyer ata. Ata, më lehtë flasin gjuhët e mjedisit ku jetojnë dhe veprojnë se sa flasin gjuhën amtare. Dhe, ky “dualizëm”, mund të ngërthejë brenda vetes elemente pozitive, mirëpo elementet ato negative sikur janë më të ndjeshme dhe më të shumta. Këtu paraqet moment të ndjeshëm dhe të rrezikshëm humbja e identitetit kombëtar, që siç jemi dëshmitarë këtij realiteti, ky vlerë e një individi tek të rinjtë shqiptarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë është mjaft e theksuar dhe se po merr përmasa shqetësuese.

Prindërit si institucioni i parë në edukimin e fëmijës, bartin përgjegjësinë më të madhe në orientimin e drejtë të fëmijëve të tyre. Nëse fëmijës nuk i jepet edukata e drejtë në vitet e para të fëmijërisë, ai në moshën madhore do të jetë i çorientuar, dhe për të fajtorë janë edukatorët e tij të parë. Këtu nuk nënkuptojmë vetëm edukatën familjare, po edhe atë shpirtërore, e cila është edhe esenciale për një zhvillim stabil dhe të drejtë të njeriut, e që, mjerisht, në mesin tonë i kushtohet shumë pak rëndësi.

Nëse rinia jonë, të cilët janë e ardhmja e Kosovës, nuk janë të shëndoshë atëherë si mund të presim një të ardhme të mirë për ne. Nëse rinia jonë, e cila për momentin është pasuria më e madhe e Kosovës, zhvishet nga ndjenja shpirtërore dhe identiteti i tij, atëherë si mund të presim një të ardhme të dëshiruar për shoqërinë tonë?

Rinia shqiptare ka një potencial të madh, i cili duhet shfrytëzuar për një të ardhme më të mirë të kombit tonë.

Prandaj, e ardhmja e rinisë shqiptare në diasporë është në njërën nga udhëkryqet më të mëdha në historinë e këtij kombi. Nuk di se do të dëshmojmë se do të jemi të aftë që në të ardhmen e historisë sonë kombëtare do të jemi vetvetja shqiptare e “ashtit arbëror”, siç shprehet rilindësi i madh, i cili edhe vetë pati fatin e mohimit të atdheut të tij dhe iu desh të jetojë në Itali, Ernest Koliqi i Madh.

Rinia – e ardhmja e te sotmes, e aktualja e te nesërmes…

Lajme të përafërta

HALILI: Shoqëria kosovare më shumë vuan nga kriza morale, se sa nga varfëria dhe papunësia!

TV OPOJA
April 4, 2019

Reflektim historik!

TV OPOJA
February 16, 2021

Vendimi i Gjykatës Evropian nëse dikush tenton t’i thotë profetit Muhamed “pedofil”

TV OPOJA
November 2, 2018
Exit mobile version