TV OPOJA
Aktualitet

Rifillon shqyrtimi ndajë deputetit Adem Hoxha, i akuzuar për sulm dhe kanosje.

Dragash – Me propozim të prokurorit Besim Susuri, ka rifilluar shqyrtimi kryesor në rastin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane, Adem Hoxha, i akuzuar për sulm dhe kanosje.

Pasi kanë kaluar më shumë se tre muaj nga seanca e fundit e mbajtur për këtë rast, prokurori Susuri, në seancën e së martën, ka propozuar rifillimin e shqyrtimit kryesor, i cili propozim u përkrah edhe nga të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Propozimi i prokurorit nuk u kundërshtua as nga i akuzuari Hoxha dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësi i rastit, Luan Berisha.

Më të rifilluar shqyrtimi, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Susuri, i akuzuari u deklarua i pafajshëm, duke shtuar se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në seancat e kaluara.

Pranë deklaratave të tyre të dhëna më herët, përkatësisht me 30 korrik 2019, qëndruan edhe të dëmtuarit Berzati.

Megjithatë, njëri prej tyre u përgjigj në një pyetje të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Hajrip Krasniqi.

I pyetur nga avokati Krasniqi, se a posedon dokumente shtetërore të rëndësishme dhe nëse po, a ia ka kthyer ato kryetarit të partisë, i dëmtuari Fatir Berzati deklaroi se nuk i kujtohet që ndonjëherë ka poseduar dokumente të tilla.

“Unë nuk kam poseduar ndonjëherë dokumente të tilla të AKI-së, siç pandeh i akuzuari dhe nga kjo pyetje unë dhe familja ime sinqerisht e ndjejmë veten të rrezikuar për jetë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Prezent në seancën e së martës kanë qenë edhe dëshmitarët Selman Osmani, Abdullah Haliloviq, Neim Sahtiari, Nijazi dhe Berzat Sharr, të cilët pohuan se qëndrojnë prapa deklaratave të dhëna në shqyrtimet e kaluara dhe se nuk kanë asgjë për të shtuar apo për të ndryshuar.

Gjykatësi Berisha ka bërë të ditur se në seancë nuk ka prezantuar dëshmitari Enes Sherifi, për të cilin tha se në fletëkthesë thuhet se i njëjti gjendet në Austri.

Për shkak të pauzës së drekës dhe me propozim të të dëmtuarit Berzat Berzati, shqyrtimi i së martës u ndërpre dhe i njëjti u caktua të vazhdoj më 28 korrik 2020, në ora  10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokurori Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dal jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Hoxha, seriozisht i kanos të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllau yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r*** ”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë. /BetimipërDrejtësi

Lajme të përafërta

Deputeti i Vetëvendosjes bën thirrje të votohet kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit

TV OPOJA
November 9, 2021

Pensionohët sekretari i kryesis së BIK-ut, Resul Rexhepi

TV OPOJA
January 18, 2019

Ligjëratë vetëdijesuese me gratë e Komunës sonë lidhur me kancerin e gjirit (Video, Foto)

TV OPOJA
October 11, 2023
Exit mobile version