TV OPOJA
Opinione

Reformimi i partive politike domosdoshmëri e kohës!

Shkruan Fatmir Halili

Në vendet demokratike qeverisja e shtetit është në duart e partive politike. Jeta politike, institucionale dhe niveli i demokracisë në një vend, varet në tërësi nga niveli i zhvillimit që kanë partitë politike.
Demokracia e brendshëme e partive, meritokracia dhe konkurenca e drejtë e përzgjedhjes së udhëheqësve, janë të një relevance të veçantë për ekzistimin e një partie normale dhe me vlera demokratike.
Qeverisjet e dobëta që ka pasur Kosova këto dy dekadat e pasluftës, janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e partive politike, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pa demokraci të brendëshme, dhe të dominuara nga mentaliteti provincial.
Vota klienteliste, dhe përkrahja e politikanëve për shkak të prejardhjes nga i njëjti regjion, kanë determinuar politikën kosovare për dy dekada, duke pamundësuar avansimet e kuadrove meritore, e në këtë mënyrë, duke fuqizuar njerëz të pa dijshëm dhe të pa vlera.
Mirëpo, fundi i politikbërësve, që për dy dekada kanë zhvatur shtetin, është bërë i domosdoshëm. Fundi i tyre, para së gjithash, duhet të filloj në partitë e tyre të cilave u takojnë. Partitë politike, pa përjashtim, kanë nevojë për refoma të thella, dhe jo vetëm në ndryshimin e strukturave menaxhuese, por, edhe në konceptin dhe filozofinë e tyre politike të stërvjetruar.
Mbështetja në të kaluarën dhe tek liderët e tyre ‘historik’, për të kërkuar votën e qytetarëve, është tregues i mungesës së programeve dhe ideve për zhvillim, dhe mungesës së kuadrove të mirëfillta për të krijuar programe dhe për të sjellë alternativë serioze.
Për më tepër, mungesa e programeve politike dhe kuadrove të duhura, është pasojë eksplicite e avansimeve familjare, shoqërore dhe të padrejta brenda partive.
Për reformimin e partive, përgjegjësinë kryesore, para së gjithash, e kanë liderët e tyre. Shikuar në retrospektivë se si ka ecur zhvillimi i partive politike kosovare, mund të konkludohet lehtë se reformimi i tyre është tejet i zorshëm dhe me pasoja për to. Kjo, për faktin se brenda tyre janë avansuar diletantë politikë, profiter dhe njerëz të pa vlerë, prandaj, largimi i tyre nënkupton edhe çarje të partive, sepse të tillë persona, nuk arrijnë të kuptojnë demokracinë dhe respektimin e reformave partiake. Politikanë të tillë jo rrallë na kanë sjellë shfaqje teatrale në Kuvendin e Kosovës, si edhe në Kuvendet partiake.
Andaj, reformimi i partive përveç që do të jetë i vështirë, do të jetë sfidues për secilën parti politike, dhe në këtë mënyrë, do të vazhdojmë të shohim fytyrat e njëjta në kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, dhe vazhdimin e debateve të kota, sa për të humbur kohë.
Mos reformimi i partive, na jep të kuptojmë edhe atë, se nuk do të shohim qeverisje më të mira, por, do të vazhdoj qeverisja çfarë e kemi edhe tani, si dhe status quo-ja ekonomike në vend.

Lajme të përafërta

Nga të gjithë hajnat më të këqinjtë janë ata që vjedhin të vërtetat!

TV OPOJA
February 1, 2020

Rrugëtim historie!

TV OPOJA
June 11, 2021

Rinia shqiptare në udhëkryqet e Europës

TV OPOJA
January 22, 2019
Exit mobile version