TV OPOJA
Opinione

Reflektim historik!

Krijimi i Aleancës Ballkanike të fillimvitit 1912 nga Serbia, Greqia, Mali I Zi dhe Bullgaria, përveç luftës kundër Perandorisë Osmane, kishte qëllim edhe coptimin e tokave shqiptare. Sa i përket Kosovës, ajo ishte në sferat e interesit serb, ku për ta Kosova ishte jetike dhe duhej të ishte pjesë e saj me çdo kusht.

Me shpërthimin e kryengritjes në pranverën e vitit 1912 në disa pjesë të Kosovës Qendrore, disa mijëra kryengritës u mblodhën në Junik. Udhëheqësit e kësaj mbledhjeje si Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Curri e të tjerë, e krijuan besëlidhjen ndërmjet tyre kundrejt regjimit xhonturk.Kjo kryengritje kishte qëllim realizimin e disa kërkesave, e që ndër to ishin: trajtimi i tokave shqiptare si një njësi e bashkuar, hapja e shkollave shqipe, emërtimi i nëpunësve shqiptarë, e disa kërkesa të tjera, të cilat në thelb kishin qëllimin e autonomisë.

Me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912, ushtria serbe kishte nisur aksionet ushtarake, ku për një afat prej 2 javësh arriti ta pushtonte tërë teritorin e Kosovës, edhe pse ne disa vende kishte përpjekje për rezistencë, por që rezultuan pa sukses. Me shpalljen e Pavarësisë se Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Kosova ishte paraparë që të jetë pjesë e pandarë e Shqipërisë, por këtë nuk e lejoi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila vendosi që Kosova të shkëputet prej Shqiperisë dhe t’i bashkëngjitet Serbisë. Kjo situatë e krijuar nuk ishte pritur mirë nga shqiptarët që mbeten jashtë shtetit te sapoformuar, dhe në këtë situatë ata nuk qëndruan duarkryq. Në verën e vitit 1913, grupe të vogla kryengritësish shqiptarë që ishin të njohur si kaçak, filluan aktivizimin e tyre në disa rajone të Kosovës. Edhe pse kaçakët krijuan disa aksione, ata prap nuk arritën ta realizonin qëllimin e tyre, e që ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore më 1914 edhe Kosova ishte nje pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në Ballkan. Me shpalljen e luftës që i bëri Austro-Hungaria Serbisë më 29 korrik 1914, shteti serb kishte filluar organizimin e përgjithshëm, por kësaj thirrjeje shqiptarët nuk iu përgjigjen. Mirëpo me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe shtetit osman, ata arritën t’i mobilizonin disa shqiptarë që në numër në fillim ishin rreth 8000 persona. Në fillim të luftës serbët arritën të mbanin Kosovën deri në tetor 1914, ku më 21 tetor, bullgarët arritën të hynin në pjesën juglindore të Kosovës dhe arritën ta merrnin Shkupin. Me pushtimin e kësaj pjese dhe dobësimin e ushtrisë serbe dhe largimin e tyre sa më thellë në territoret e Serbisë Qendrore, më 29 nëntor kur ra Prizreni dhe disa qytete tjera, përfundimisht Kosova ra në duart e austrohungarezëve dhe të bullgarëve, të cilët u ndan në pushtimet e disa pjesëve të territorit te Kosovës. Gjatë mbajtjes së Kosovës në pushtimin e austriakëve filloi një normalizim i situatës, ku një pjesë e popullsisë u pajtuan me ketë pushtim dhe e konsideronin më të dobishëm se pushtimi paraprak serb, edhe pse asnjë pushtim asnjëherë nuk është i dobishëm.

Krijimi i shtetit të ri Jugosllav me 1 dhjetor 1918, e krijoi një situatë të re, ku Kosova u bë pjesë e këtij shteti sepse ishte pjesë integrale e shtetit serb dhe kësisoj u bashkua me shtetin më të ri të krijuar në Ballkan, edhe pse ky shtet nuk ishte në kuptimin e plotë të fjalës, sepse ishte një bashkim i disa shteteve në një federatë. Shqiptarët e Kosovës prej vitit 1918 u trajtuan si qytetarë jugosllav, shteti jugosllav u premtoi të drejta popullsive, si hapjen e shkollave, krijimin administratës në gjuhët përkatëse e kërkesa të tjera, por asnjëra nga këto premtime nuk u realizuan.
Gjatë vitit 1919 kishin filluar kryengritjet ku kërkoheshin të drejta më të mëdha për shqiptarët në të gjitha aspektet, por si gjithmonë këto kërkesa nuk merreshin parasysh. Me këto kryengritje kërkohej largimi i Kosovës nga jugosllavia dhe bashkimi i saj me Shqiperinë, por këtë nuk e dëshironte as Jugosllavia dhe as pushteti i Zogut në Shqipëri. Për shkak të interesave te ndërlidhura të dy qeverive kjo kërkesë nuk u plotësua .
Situata e shqiptarëve ndër vite ishte jashtëzakonisht e vështirë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe me të drejtat e tyre në këtë republikë.

Më 1929, në tërë Jugosllavinë u bë ndarja e territoreve në banovina, kështu që edhe territori i Kosovës u nda në banovina(zona administrative), e që ishin: ajo e Vardarit me qendër Shkupin, e Moravës me qendër Nishin dhe e Zetës me qendër Cetinën, që përfshinte tërë Malin e Zi.

Nga viti 1935 e me pas u bë një konfiskim i madh i tokave të shqiptarëve, ku këto toka konsideroheshin si pronë shtetërore . Qëllimi i këtij plani ishte që shqiptarët t’i largonin nga tokat e tyre dhe t’i cilësonin ata sikur kolonë të ardhur aty nga vise të tjera, si nga Turqia dhe Shqipëria, e që nuk qëndronte aspak kështu, dhe më pas t’i dëbonin ata nga ato toka, e për këtë u bënë diskutime të mëdha dhe natyrshëm me kundërshtime të mëdha nga shqiptarët, dhe me një dëshirë të madhe nga serbët që kjo te ndodhte. Ky plan arriti deri në atë pikë saqë kërkohej dëbimi i shqiptarëve të Kosovës për në Turqi dhe Shqipëri, për një periudhë nga viti 1939 deri 1944. Fatmirësisht do të fillonte Lufta e Dytë Botërore dhe nuk do te realizohej tërësisht ky plan, edhe pse një pjesë të shqiptarëve u dëbuan.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore Gjermania kishte interes për të gjithë Ballkanin, ku këtu përfshihej edhe territori i Kosovës. Me sulmet gjermane në drejtim të Jugosllavisë që filluan në fund të marsit, arritën që të pushtonin një pjesë të madhe të saj. Sa i përket Kosovës, ajo u pushtua nga hjermanët brenda 1 jave, ku me 17 prill u arrit një marrveshje ndërmjet Jugosllavisë dhe Gjermanisë që kësaj të fundit t’i takonte territori i Kosovës. Mirëpo Kosova nuk mbeti vetëm nën pushtimin e gjermanëve, sepse një pjesë të Kosovës Lindore e pushtoi Bullgaria, një pjesë tjetër Italia e që përfshinte territorin e Kosovës Jugore dhe Perëndimore, ndërsa pjesa tjetër i takonte gjermanëve. Në të gjithë pjesët e pushtuara të Kosovës kishte përpjekje për rekrutimin e shqiptarëve, jo sepse ata ishin te rëndësishem për luftë kundër ushtrive kundërshtare, por për arsye që të fusnin përçarje ndërmjet tyre dhe t’i fusnin në konflikt kundër bashkëkombësve që luftonin në radhët partizane. Në Kosovë kishte edhe radhë partizane, ku në shtator 1942 u formua grupi i parë i partizanëve shqiptarë, të ashtuquajtur aradhja “Zenel Hajdini”, ndërsa më 1943 u formua edhe një njësi tjetër më e vogël e quajtur aradhja “Emin Duraku”. Qëllimi i tyre ishte lufta kundër ushtrive gjermane, bullgare edhe italiane. Sa u përket partizanëve të Kosovës dhe atyre të Shqiperisë, u arritë një marrëveshje ndërmjet tyre në mbledhjen e Bujanit të 31 dhjetorit 1943 deri 2 janar 1944, ku u pajtuan që pas përfundimit të luftës nacional-çlirimtare, një pjesë e territorit përendimor të Kosovës të kalonte nën Shqiperi. Me këtë fakt nuk u pajtua Komiteti Jugosllav dhe arritën të krijonin përçarje ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe marrëveshja e Bujanit nuk u realizua.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti prap pjesë e republikës jugosllave, ku tani në pushtet kishin ardhur komunistët. Ata vepruan edhe vendosën që Kosovën ta bënin pjesë përbërëse të Serbisë, dhe jo më të mbetej si Kosovë.
Më 3 shtator 1945, kryesia e “Kuvendit Popullor” të Serbisë nxori ligjin për formimin e “Rajonit Autonom të “Kosovës dhe Metohisë”, që u shpall “pjesë përbërëse” e Serbisë.

Pas luftës, në Kosovë ishin 252 shkolla në mësim në gjuhën serbe, mirëpo në fund të vitit 1945, në Kosovë ishin 392 shkolla me 279 klasë në shqip, kësisoj filloi edhe mësimi në gjuhën shqipe me ndërhyrje të madhe nga Shqipëria, e cila dërgoi një numër mësuesish nga atje.

Me instalimin e UDB-as në Kosovë, ku në të kishte edhe shqiptarë të cilët kishin qëllim dhe detyrë persekutimin e shqiptarëve që ishin kundër pushtetit jugosllav, u bë arrestimi i shumë shqiptarëve, disa prej të cilëve ishin pro-tiranë, e që në këtë kohë marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri kishin qenë të acaruara. Njëri ndër ta ishte Adem Demaçi, i cili do të arrestohej me 1964.
Statusi “autonom” i Kosovës ra në nivelin më të ulët, si pasojë e Kushtetutës së re Jugosllave të vitit 1963. Kjo kushtetutë i solli Kosovës titullin e “Krahinës” autonome. Por me ndryshimet e vitit 1968, ku u bënë ndryshime të kushtetutës së 1963, në amandamentin
XVIII përcaktoheshin krahinat autonome si “bashkësi politiko-shoqërore “, vihej në dukje se ato i kishin të gjitha obligimet e një republike, pos obligimeve që kishin të bënin me Republikën e Serbisë. Kësisoj shqiptarëve do t’u shtoheshin ambiciet dhe do të fillonin të kërkonin “Kosova Republikë”, e cila parullë u ndëgjua për herë të parë më 27 nëntor 1968.

Më 1970 një grup studentësh që ishin në “fakultetin” që ishte në Kosovë, por që ishte pjesë integrale e Universitetit të Beogradit, e që u shndërrua në Universitet . Prej kësaj periudhe deri në vitin 1980, situata në Kosovë filloi normalizimin politik dhe ekonomik.
Gjatë viteve ’80-ta situata në Kosovë filloi të acarohej dhe të krijoheshin paknaqësi të mëdha .

Me ardhjen në pushtet të Millosheviqit, në krye të Lidhjës Komuniste të Serbisë në fund të vitit 1987, në Ksovë kishin filluar pakënaqësitë, ku u zhvilluan protesta, greva e demonstrata të mëdha, u burgosën shumë përsona duke kërkuar më shumë të drejta dhe republikë në kuadër të Jugosllavisë.

Themelimi i LDK-së më 1989 hapi një rrugë të re politike, ku mendohej që me prulalizëm politik dhe me anë të dialogut të çliroheshim, e që u pa për një kohë të shkurtër që kjo nuk ishte zgjidhja e duhur.
Në tetor 1991, u zhvillua referendumi mbarëpopullor që zyrtarisht e shpalli Kosovën të pavarur e sovrane, ndërsa Ibrahim Rugova u zgjodh njëzëri Kryetar i Republikës dhe organizoi rezistencën paqësore kundër pushtimit serb.

Mirëpo gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’90 mbeti jashtëzakonisht e rëndë. Filloi largimi masiv i njerëzve nga puna, u mbyll universiteti dhe shkollat e mesme, u bë torturimi i njerëzve që i dolën kundër regjimit, u bënë burgosje dhe u pa që rruga kryesore për t’u çliruar ishte vetëm lufta.

Përgatitjet për luftë filluan nga viti 1995 edhe pse më herët ishin ndërmarrë aksione, dhe në vitin 1991 kishin filluar edhe përgatitjet ushtarake.
Më 1 tetor 1997 filluan protestat e studentëve, të cilat vazhduan edhe në vitin 1998, ndërsa policia serbe këtyre protestuesve u kundërpërgjigjej në mënyrë shumë të dhunshme.

Me zhvillimet që po kalonin u pa se rruga e vetme ishte lufta. Fillimi i luftës ishte me daljen e UÇK-së në skenë më 28 nentor 1997. Lufta në Kosovë zgjati deri në vitin 1999. Gjatë kësaj periudhe të luftës në kosovë u bënë shumë beteja e u bënë shumë masakra nga forcat policoro-ushtarake. Njëra ndër betejat më të mëdha që i dha jehonë luftës ishte beteja e 5,6 dhe 7 marsit 1998, e zhvilluar nga Familja e Komandantit legjendar, Adem Jasharit, kundër ushtrisë serbe .

Me situatën që po zhvillohej faktori ndërkombëtar e pa të udhës se duhej bërë një zgjidhje për Kosovën, dhe zgjidhje duhet bërë nëpërmjet organizimit të një tryeze ndërkombëtare ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e Kosoves dhe Serbisë si dhe palë ndërmjetësuese do të ishin SHBA.

Organizimi i Konferencës se Rambujesë kishte për qëllim zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Gjatë bisedimeve që u bënë atje dhe me kerkesat e të dy palëve nuk u arrit ndonjë rezultat final, sepse pala serbe nuk po pranonte asnjërin prej kushteve që i kërkonin përfaqesuesit e Kosovës dhe nuk u bindën SHBA-ve. Kështu që zgjidhja e vetme ishte që në Kosovë duhej bërë ndërhyrje ushtarake me qëllim ndaljen e luftës dhe masakrave që po i bënte ushtria serbe kundrejt popullsisë së pambrojtur.

Me nënshkrimin e marrëvshjes ndërmjet Kosovës dhe vendeve të NATO u vendos që ne kosovë duhej intervenuar ushtarakisht. Aleatët e NATO-s filluan më 24 mars 1999 sulmet ajrore ndaj caqeve ushtarake jugosllave për 73 ditë me radhë. Gjatë kësaj kohe, UÇK-ja vazhdoi konfrontimet ushtarake me trupat serbe, theu kufirin Shqipëri-Kosovë dhe mori nën kontroll pika strategjike.

Më 10 qershor të të njëjtit vitë u arrit Marrëveshja e Kumanovës për tërheqjen e forcave serbe dhe hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë.

Më 2001, UNMIK-u përpiloi Kornizën Kushtetuese dhe organizoi zgjedhjet e para të lira në historinë e Kosovës. Nga këto zgjedhje rodhën edhe institucionet e para, u bë qeveria e Kosovës me kryeministër Bajram Rexhepin e President Ibrahim Rugovën. Mirëpo kompetencat më të mëdha mbeten në duart e UNMIK-ut. Kjo qeveri zgjati deri në vitin 2004 ku nga zgjedhjet e atij viti dolën institucionet e reja me një bashkëqeverisje ndërmjet LDK dhe AAK-së u vendos që Ramush Haradinaj Kryeministër e Ibrahim Rugova President. Por me dërgimin e Haradinajt në Tribunalin Special për krime të luftës në ish-Jugosllavi, vendin e tij e zuri për një periudhë të shkurter Bajram Kosoumi e mbas tij erdhi Agim Çeku, i cili do ta mbante ketë pozitë deri ne vitin 2007.

Në vitin 2007 i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, ish-kryetari i Finlandes Martti Ahtissari nxori Planin Gjithëpërfshirës, ku parashihej Pavarësi e mbikëqyrur me të drejta të zgjeruara për pakicat, sidomos serbët.

Me zgjedhjet e vitit 2007 në Kosovë doli e para nga ky proces PDK- ja e cila do të lidhte koalicion me LDK-në, ku do të zgjidhej Hashim Thaçi Kryeminister ndërsa Fatmir Sejdiu President. Pas një viti, më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash u shpall Pavarësia e Kosovës dhe u bë kurorëzimi i një lufte 100-vjeçare për liri e pavarësi.

Gëzuar trëmbëdhjet vjetorin e Pavarësis!


Autor: Hysen Bojaxhiu
(Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)

 

Lajme të përafërta

BRODI – FSHATI JUGOR I BLEGTORISË DHE I TURIZMIT

TV OPOJA
May 28, 2021

Faton Piraj na duhet një ndryshim i mentalitetit shoqëror

TV OPOJA
July 11, 2019

Rinia shqiptare në udhëkryqet e Europës

TV OPOJA
January 22, 2019
Exit mobile version