Pas dramës së sotme rreth shkarkimit të kryesuesit ku së pari u publikua shkresa e MAPL-së, ku sipas saj kishte shkelje gjat seances ku u shkarkua kryesuesi i kuvendit e pastaj nga ana e komunës u caktua edhe seanca tjeter e datës 13.12.2023 për shkarkimin e tij.
Pas këtyre ndodhive ka reaguar edhe kryetari i komunës ku sipas tij vendimi i MAPL-së ka krijuar një precedent të rrezikshëm, ndersa aktin më skandaloz, antiligjor dhe jodemokratik e ka bërë vetë kryesuesi në largim!
Më poshtë reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Në Shkresën njoftuese të MAPL-së për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për shkarkimin e kryesuesit, e cila u mbajt më 24.11.2023, është konstatuar një shkelje e pavullnetshme procedurale. Pas inskenimeve dhe përpjekjeve të dështuara për të krijuar një klimë të papëpërshtatshme për vazhdimin e seancës, kryesuesi i Kuvendit, ka lëshuar sallën dhe, në vend të anëtarit më të vjetër të Kuvendit, kryesimin e mbledhjes e ka vazhduar zëvendëskryesuesi i kuvendit, ashtu siç ka bërë edhe në disa seanca të tjera ku janë marrë vendime të rëndësishme dhe MAPL pas shqyrtimit të tyre i ka kthyer si të ligjshme.
Me këtë konstatim për mbledhjen e fundit nga ana e MAPL-së, konsiderojmë se është krijuar një precedent i rrezikshëm, i cili mund do të përdorët edhe për zëvendëskryesuesit shqiptarë të kuvendeve komunale, në ato komuna ku shqiptarët nuk janë shumicë
Aktin më skandaloz, antiligjor dhe jodemokratik e ka bërë vetë kryesuesi në largim. Duke refuzuar ta nënshkruajë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, ai ka keqpërdorur pozitën e tij dhe ka shkelur në mënyrë flagrante Nenin 6.2 të Udhëzimit Administrativ Nr.02/2015 për Mbajtjen e Mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, i cili e obligon kryesuesin e Kuvendit të Komunës të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme sipas kërkesës së 1/3-tës së anëtarëve të Kuvendit, apo me kërkesë të kryetarit të komunës. Kësisoj, mosrespektimi i vullnetit të shumicës së kuvendarëve për interesa individuale të ruajtjes së një pozite, përveç shkelje të ligjit, njëkohësisht përbën edhe shkelje të rëndë të parimeve demokratike dhe është shembull joetik se si duhet të sillet një i zgjedhur i qytetarëve.
Pretendimet e Qendrës së LVV-së në Dragash se Kryetari Xheladini ka tentuar të kontrollojë seancën janë të pavërteta dhe tendencioze. Pas përfundimit të pikës së parë të rendit të ditës,unë i kam kërkuar një asambleistes që të vazhdoj të qëndroj në sallë, pasi që në rend të ditës kanë qenë për shqyrtim edhe dy pika të tjera.
Ndërrimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal në Dragash, i cili ka kohë që e ka humbur legjitimitetin përmes shkeljeve sistematike të Rregullores së Punës së Kuvendit, është vullnet politik i shumicës së delegatëve të këtij Kuvendi të zgjedhur me votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve.
Si parti që udhëheq me qeverisjen lokale në Dragash, së bashku me partnerët e koalicionit nuk do të zmbrapsemi nga përpjekjet për të krijuar një legjislativ lokal funksional, ku mbizotëron gjuha parlamentare, debatet konstruktive dhe përfaqësimi dinjitoz i interesave të qytetarëve tanë në organin më të lartë vendimmarrës të Komunës së Dragashit.
Me respekt,
Kryetari i Komunës
Bexhet Xheladini