Qeveria e Kosovës ka shlyer shpenzimet e shërbimeve të ujit për banorët serbë të Mitrovicës së Veriut. Paparaci ka siguruar transaksionin e vlefshëm 150 mijë euro që ka realizuar ekzekutivi për mbulimin e shpenzimeve të ujit në veri. 

150 mijë euro të taksapaguesve kosovarë nga Thesari i Shtetit janë derdhur në xhirollogaritë e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”.

Mjetet janë dedikuar për mbulimin e shpenzimeve të ujit nga qytetarët në veri të vendit.

Një dokument që ka siguruar mediumi online Paparaci, dëshmon se më 5 nëntor, 2021, Ministria e Ekonomisë transferoi 150,000.00 euro në adresë të xhirollogarive të KRU “Mitrovica”.

Transaksioni është siguruar në formë të subvencioneve nga buxheti i shtetit, tregon dokumenti që ka siguruar Paparaci.

Isuf Jashari, drejtori i Financave në KRU “Mitrovica”, tha të premten se kompania rajonale ka paguar dy fatura të energjisë elektrike me 150 mijë eurot e transferuara nga buxheti i shtetit.

Paparaci ka siguruar dy faturat e paguara nga 75 mijë euro secila. Ato janë ekzekutuar më 5 nëntor, në ditën e realizimit të transaksionit nga buxheti i shtetit në xhirollogaritë e ujësjellësit.

Ujësjellësi “Mitrovica”, faturohet me shpenzime të larta të energjisë elektrike si pasojë e furnizimit me ujë të banorëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“E tërë sasia e ujit e blerë nga kompania “Ibër Lepenci”, përmes pompave elektrike dërgohet në fabrikën e ujit të pijes në Shipol, duke prodhuar si efekt edhe shpenzime të mëdha të energjisë elektrike dhe borxhe ndaj KESCO-s”, tha Jashari të premten.

Kësisoj, për shkak të mospagesës së shërbimeve të ujit nga banorët e veriut të Mitrovicës, KRU “Mitrovica” nuk arrin të sigurojë fitime të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të saj.

Kompania Rajonale, Ujësjellësi “Mitrovica”, gjendet në Shipol të Mitrovicës dhe është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen edhe tri komunat tjera veriore.

Kjo kompani është nën ombrellën e Autoritetit Rregullator të Shërbimeve të Ujit (ARRU).

Paparaci, ka pyetur Ministrinë e Financave lidhur me pagesën e realizuar për mbulimin e shpenzimeve të ujit për banorët serbë të veriut të Mitrovicës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Përveç mospagesës së faturave të ujit të shpenzuar, banorët e kësaj pjese të Kosovës, nuk i paguajnë as faturat e energjisë elektrike, që llogariten nga 8 milionë euro në vit.

Për këtë çështje, Avokati i Popullit kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë.

Kurse, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike të pezullojë vendimin që rryma e shpenzuar për atë pjesë, t’u faturohet qytetarëve të rajoneve tjera.

Ndërkaq, në një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë më 11 tetor, 2021, e ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) që t’i paguhet rryma elektrike katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017.

Ky vendim erdhi pas ankesës së dorëzuar nga Avokati i Popullit. /Paparaci.com