TV OPOJA
Aktuale

Politizimi dhe nepotizmi i tepruar po e degradon arsimin në Komunën e Dragashit

Asnjëherë nuk kam menduar se do të shkruaj eventualisht për ndonjë dobësi të arsimit të komunës sime ku kam punuar për një kohë të gjatë. Kjo nuk do të thotw se nuk ka pasur edhe gabime. Megjithatë arsimi në Komunën Sharrit [Dragashit] ka qenë i krahasueshëm me nivelin mesatar kosovar. Kjo që do të shkruaj nuk e ka qëllimin e kritikës sa e ka të preventivës për ta depolitizuar shkollën.

Nga momenti që një kryetar komune e jep betimin, ai zotohet se do të jetw kryetar i të gjithëve dhe se në mandatin e tij do të zotohet që komunën do t’a qojë përpara.

Të them të drejtën në zgjedhjet e fundit me pëlqyen të gjithë konkurrentët për kryetar komune, sepse të gjithë konkurronin për herë të parë dhe kishin një bagazh të konsideruar politik dhe të mirësjelljes.

Nuk kam argumente për punën e kryetarit aktual në përgjithësi, sepse fare pak kam njohuri për lëmit tjera, përveç lemisë arsimore.

Që në fillim kam vërejtur se në lëmin e arsimit, përkundër punës së mirë të ministrisë së arsimit e cila po i kryen obligimet ndaj arsimit të komunës sonë, pushteti lokal nuk po heq dorë nga politizimi i shkollës, zaten edhe po trash atë.

Shkas për të postuar këtë shkrim u bë videoja e një ansambleisti nga VV-ja me titull ‘Akuza për punësime politike në Dragash’, ku shpërfaqet shpërndarja paraprake e testeve të plotësuara për kandidatët e preferuar të kryetarit të komunës gjë që në një mënyrë e paska pranuar edhe drejtori i këtij drejtorati e që jam i sigurt se ai personalisht nuk e ka shpërndarë. Se testet e tilla janë shpërndarë edhe para ardhjes së kryetarit aktual, ka qenë punë e ditur, por ja që kanë munguar argumentet. E tani argumenti është. Në popull thuhet se “u zu me pelë përdore”. Kjo shpërndarje është vepër e rëndë penale.

Me ardhjen e kryetarit aktual, shpresuam se ndoshta do të fillojë depolitizimi i shkollës, përkundrazi politizimi i shkollës sa po trashet edhe më tepër, krahas tij edhe nepotizmi.

Në mandatin e kryetarit aktual, dy herë u shpall konkursi për vendet vakante të cilat u krijuan me pensionimin e arsimtarëve.

Konkurset sikurse edhe herëve tjera nuk qenë transparente do tw thotw ka pas tentime të fshehjes. Ka argumente që kandidatëve të preferuar pa pengesa u janë pranuar dokumentet konkurruese, ndërsa kandidatëve të fortë por jo të preferuar nuk u është pranuar diploma e fakultetit të kryer, sepse i paska kaluar afati. Si mund t’i dalë afati diplomës.

Do ta kuptoja kryetarin sikur të pranonte në punë kandidatin e partisë së tij me kushte të barabarta, ama të pranohet kandidati me notë mesatare gjashtë, pa të vetmin trajnim dhe të refuzohen kandidatët me notë mesatare mbi nëntë dhe me disa trajnime dhe me stazh pune, kjo nuk do koment. Kryetari nuk ndien përgjegjësi se arsimtari i dobët ka me përcjell 40 gjenerata të fëmijëve tanë. Jo gjithmonë kryetari ka pranuar bashkëpartiak, në rastet e familjeve të pasura ka bërë edhe përjashtime. Një numër i kandidatëve të shkëlqyeshëm të cilët i ka refuzuar komisioni i kryetarit, janë pranuar në Prizren dhe kryetari në vend të tyre ka pranuar kandidatë më të dobët nga Prizreni, arsyen pse, e din vet ai dhe komisioni tij. Këtij i thonë shkëmbim i mirë i kuadrove.

Kryetari për t’i realizuar premtimet e dhëna ka ruajtur komisionin e mëhershëm lojal urdhrave të tij. Mundësia e cilësimit nga ky komision është shumë poshtë nivelit të profesorëve që kanë konkurruar e që i ka testuar ky komision. Kjo është edhe e keqja më e madhe sepse jo vetëm që nënçmohet kandidati por edhe fakulteti nga vjen kandidati. Ia përkujtoj kryetarit se Komuna e Sharrit ka kuadër shumë më të përgatitura si për përgatitjen e testeve ashtu edhe për cilësimin e kandidatëve.

Kam pas rastin të bisedoj me shumë kandidat ditët kur është organizuar testimi dhe fjalia e parë e tyre ishte “profesor kemi ardhur me e bë rendin, sepse saktë e dimë kush ku ka me u pranu”, vërtetë fjalët e tyre kanë dalë të sakta 100 pwr qind. Kësaj radhe nuk e shoh të arsyeshme të shkoj edhe me emra.

Marifeti i manipulimit, çelësin e ka pas të formulimi i testit dhe të shpërndarja e tij paraprakisht. Si mundet një kandidat i matematikës, fizikës etj me u përgjegjës në 10 pyetje nga historia më mirë se sa kandidati të cilit i është dhënë paraprakisht testi me përgjigjet e sakta.

I nderuar kryetar si nuk të vret ndërgjegjja dhe nuk frikësohesh prej Zotit kur pranosh dy deri tre kandidatë po të njëjtës familje, e në anën tjetër i refuzosh kandidatët e familjeve që jetojnë nga ndihmat sociale. Kryetar jam i bindur se ke bërë edhe punë të mira, por këtë që bëre që dy herë radhazi në arsim e ke bërë bërllok.

Me qenë në ndonjë komunë të madhe këto gjëra edhe nuk mund të hetohen, ama në komunën tanë të vogël shihet çdo e mirë dhe e keqe. Nëse i nderuari kryetar mundoheni të arsyetoheni se të gjitha këto nuk janë bërë me urdhrin tuaj gaboheni. Edhe po të ishte ashtu, nga ajo që nuk i keni parandaluar dhe nuk e keni marr mundin me i identifikuar fajtorët, përgjegjësia prapë bie mbi ju.

Me dallaveret e kësaj natyre që po bëni njëjtë sikurse pararendësi i juaj, përveç ndonjë fitimi eventual material, ju po ulni autoritetin personal, nga se po flitet në çdo mes, po ulni rejtingun e partisë nga jeni kandiduar dhe më e keqja po kontribuoni në degradimin e arsimit edhe për katër dekada që do të vijnë.

Mandati yt kryetar sa ka filluar. Ato që janë bëre, më nuk mund të zhbëhen. Shpresojmë se në të ardhmen do të rezononi dhe të bëheni më i arsyeshëm, ashtu si i kemi pasur pritjet.

Me sjelljet tua korrekte, që ke pas pa u zgjedhur kryetar, të paktën me punësimet që ke bërë në arsim, na ke zhgënjye.

Shkruan: Hajriz Meleqi

Lajme të përafërta

Arrestohet një person në fshatin Blaç të komunës së Dragashit.

TV OPOJA
June 21, 2021

Vehbi Nazifi kryetari i ri i Partis Demokratike në Dragash

TV OPOJA
March 3, 2019

Fatmir Halili dështimi në INTERPOL, nuk është dështim i kësaj qeverie!

TV OPOJA
November 20, 2018
Exit mobile version