Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar 661 persona në Ministrinë e Shëndetësisë. Vetëm për këto raste janë shpenzuar rreth 5.3 milionë euro.
Kështu ka thënë Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, sipas të cilit, fondi vjetor për shërim jashtë vendit për pacientët është rreth 7 milionë euro.
Ndryshe, sëmundjet malinje, leukemitë akute dhe operacionet e zemrës për fëmijë, janë vetëm disa nga sëmundjet për të cilat institucionet publike shëndetësore nuk po mund të ofrojnë trajtim brenda vendit.
“Gjatë vitit 2019, në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, respektivisht programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore, kanë aplikuar 661 persona. Më së shumti ndihmë financiare po kërkojnë për sëmundjet që lidhen me oftalmologji, ortopedi, onkologji e pediatri, por edhe sëmundje të tjera. Shuma e aprovuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore është 5.3 milionë euro”, tha Matoshi.
Mungesa e besueshmërisë në institucionet publike shëndetësore shtyn në vazhdimësi qytetarët që t’i kërkojnë shërbimet e tyre mjekësore nëpër spitalet private apo në qendrat mjekësore në vendet e rajonit, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Gjatë vitit të kaluar për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar 1 mijë e 432 persona. Sipas të dhënave zyrtare, për trajtimin e pacientëve jashtë Kosovës janë shpenzuar rreth 9 milionë euro.
Në Federatën Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla thotë se në përgjithësi, qytetarët për nevoja të ndryshme shëndetësore, shpenzojnë nga 150 deri në 200 milionë euro jashtë institucioneve publike shëndetësore.
/shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/