TV OPOJA
Aktualitet

Opoja si zonë e pasur me trashëgimi kulturore e natyrore

Shkruar nga Muharrem Qafleshi

Opoja e ndodhur midis bjeshkëve të “Sharrit” dhe “Koretnukut” është një trevë shumë e veçantë, ku shfaqen dhe ndërthuren kontraste të papara; aty përballen e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia, pamjet mahnitëse me infrastrukturën e dobët, mundësitë e shumta për zhvillim me një prapambetje relative, ashpërsia natyrore e terrenit me butësinë hyjnore të peizazhit.
Gurra dhe kroje që burojnë nga bjeshkët e larta më ujë të pijshëm që nga burimi e deri në vendet ku shfrytëzohet nga banorët e fshatrave opojane. Nuk ka fshat që nuk i ka nga dy, tre e më shume kroje me ujë të pijshëm, që për nga pastërtia pa dyshim që do të konkurronin çdo ujë në botë, pasi secili prej tyre zanafillën e ka nga bjeshkët e larta, ku bora e re pushon mbi borën e vjetër. Pjesa më e madhe e zonës është me pyje e kullota, pasi toka bujqësore e përdorur për mbjellje është e vogël.
Ajri dhe peizazhi janë nga më të paimagjinueshmet që njeriu ka parë, me monumente natyrore të shumta e të rralla. Pyjet me ah, dushkë e pisha krijojnë kurora të mrekullueshme rreth e rreth fshatrave opojane.
Bjeshkët të mbushura përplot me fruta si boronica, dredhëza e egër, mjedra, manaferra, etj., janë një burim ekonomik për popullatën e kësaj anë.
Përveç bukurive natyrore dhe ushqimeve karakteristike të trevës, turistët do të ulen këmbëkryq me trashëgiminë kulturore të Opojës, si shtëpi të vjetra tradicionale, mullinj, valanica, xhami, tyrbe, etj.
Do të ishte i padiskutueshëm interesi i turistëve të huaj, që krahas bukurive përrallore të kësaj zone, të njiheshin me folklorin e pasur, këngët dhe veglat muzikore, veshjet e larmishme, dasmat dhe ritet e zakonet mortore, të cilat dëshmojnë për një zonë jashtëzakonisht të pasur me etnokulturë të veçantë dhe të bukur.
Opojanët e kanë dashur dhe vlerësuar jetën, e kanë ëndërruar të ardhmen, dhe për këtë arsye, ata kurrë nuk e kanë humbur shpresën, për të arritur të mirën, të bukurën, dhe atë që është më me shumë vlerë në jetë.

Lajme të përafërta

Kryetari Shabani lidhë marrëveshje bashkëpunimi me organizatën ” QATAR CHARITY ” në favor të fëmijëve pa prindër

TV OPOJA
April 4, 2019

Bibloteka “Ymridin Çengaj”, dhe ajo e Prizrenit në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizon kursin e Gjuhës Angleze

TV OPOJA
October 25, 2018

LDK-ja në Dragash i kerkon VETËVENDOSJES të i kthejë borxhin JGP-së, përndryshe përfundoni në opozitë!

TV OPOJA
January 7, 2022
Exit mobile version