Në kohën kur pritet të nisë shqyrtimi i ndryshimeve të propozuara të Ligjit për Fondet Pensionale nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, u bënë thirrje deputetëve që të mos aprovojnë këtë nismë ligjore.
Të mundësuarit e tërheqjes së kursimeve pensionale nuk duhet të jetë përgjigje në sfidat aktuale ekonomiko-sociale të vendit, kjo edhe për shkak të pasigurive të shumta që karakterizojnë mjedisin ekonomik global dhe thellimin e mëtejmë të vështirësive në muajt në vijim.
Oda Amerikane thekson se pavarësisht autoritetit të tyre, deputetët e Kuvendit të Republikës kanë përgjegjësi që të nxjerrin politika të cilat garantojnë dhe përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme mirëqenien e qytetarëve, prandaj nuk mbështet nismat të cilat gërryejnë perspektivën për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit edhe thirrjen e saj për dialog gjithëpërfshirës, në rend të parë ndërmjet hisedarëve politikë, por edhe të tjerëve, për një program të masave monetare e fiskale, të cilat do të adresonin sfidat aktuale dhe do të lehtësonin jetesën e qytetarëve.