TV OPOJA
Aktuale

Nga viti i ardhshëm kosovarët do të gjobiten nëse nuk e punojnë tokën

Nga viti i ardhshëm, kosovarët do të duhet t’i paguajnë tatim shtetit për tokën që nuk e punojnë. Gjithë kjo meqenëse institucionet e Kosovës po planifikojnë që nga viti 2020 të nisin aplikimin e tatimit për të gjitha tokat bujqësore të cilat nuk punohen. Por, se sa do të jetë pagesa për tokat e papunuar ende nuk dihet. Në Ministrinë e Bujqësisë thonë se kjo pagesë do të përcaktohet nga Kuvendet Komunale. Ndërkohë, në Shoqatën e Bujqve deklarojnë se nuk e përkrahin këtë projekt Arjeta Shabani.

Banorët e vendit më të varfër në rajon dita-ditës po largohen nga bujqësia.

Tokat e tyre ata po zgjedhin që t’i lënë vetëm si livadhe e kullosa. Prej më shumë se 400 mijë hektarë tokë bujqësore të shfrytëzueshme sa ka vendi, vetëm 186 mijë hektarë janë punuar në vitin 2018.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i kanë thënë Gazetës Express se pjesa më e madhe e kësaj tokë i përket livadheve dhe kullosave.

“Sipas të dhënave të Anketës së Ekonomive Bujqësore të vitit 2017, gjithsej sipërfaqe e shfrytëzuar e tokës bujqësore janë 416 mijë ha, prej të cilës pjesa më e madhe u përket livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) 218.3 mijë ha ose 52.5%, ndërsa tokë e punueshme-ara (duke përjashtuar perimet) janë 186.9 mijë ha ose 44.9%”, thuhet në përgjigjet e MBPZHR’së për Express.

Por, që nga viti i ardhshëm kosovarëve do t’iu duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë për to.

Në Ministrinë e Bujqësisë kanë deklaruar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të duhet të paguajnë tatim ekstra në pronë.

Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.

“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në vitin 2020”.

Për rregullimin e pagesës së këtyre pronave bujqësore, MBPZHR ka paraparë që Kuvendet Komunale të caktojnë normat tatimore për të gjitha kategoritë e pronave, me përjashtim të kategorisë që është pronë publike.

“Kuvendi komunal duhet t’i rishikojë normat e caktuara dhe të caktojë norma të reja tatimore, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkojnë rrethanat”, thuhet në përgjigjet e MBPZHR’së.

Përveç kësaj, fatura e tatimit në pronë për qytetarët nga ky vit do të përfshijë edhe tatimin në parcela, i cili për të evituar rritje të larta të papritura të tatimit, tatimi në tokë do të zbatohet gradualisht përgjatë katër viteve.

Por, në Shoqatën e Bujqve të Kosovës deklarojnë se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.

Kryetari i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri i ka thënë Gazetës Express se edhe në këtë proces do të ketë dallavere. Sipas Shoqatës së Bujqve mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.

“Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ne nuk i kemi standardet e Suedisë. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë”, ka thënë Tahiri për Express.

Përfitime nga ky projekt do të kenë më së shumti banorët e rajonit të Prishtinës.

Në bazë të regjistrimit të bujqësisë të realizuar në 2014-ën, toka më së shumti punohet në Prishtinë, pasuar nga Mitrovica dhe Peja.

Ndërkohë, kulturat bujqësore që kultivohen më së shumti nga kosovarët po del të jenë drithërat, bimët farogjere, perimet e kultura të tjera.

Nga llojet e bimëve qe më së shumti kultivohen në Kosovë, janë gruri, misri, elbi, thekëra, tërshëra dhe drithëra të tjera kokërr, ndërsa prej bimëve foragjere kultivohen misri, bari, jonxha e tërfili.

Përveç tyre, në tokat bujqësore të vendit zënë vend edhe kulturat industriale, si luledielli, bimët aromatike dhe mjekuese.

Por, më së shumti këto toka janë të mbjella me pemë e perime.

Mbi 20 lloje të ndryshme të pemëve e perimeve janë të mbjella në vend. Nga perimet dominojnë patatet e domatet, ndërsa prej pemëve më së shumti kultivohen mollët e dardhat./Gazeta Express

Lajme të përafërta

Elezi: Sot fillon numërimi i votave me kusht

TV OPOJA
November 18, 2021

Zgjatet afati për implementim të projekteve për zhvillim rural 2018

TV OPOJA
December 11, 2018

Dështon seanca për Trustin, shpërndahen deputetët

TV OPOJA
June 22, 2022
Exit mobile version