Ata që vjedhin realitete që kurrë nuk i kanë jetuar apo përjetuar. Ata që vjedhin përvoja të cilat kur kanë ndodhur iu kanë shmangur. E kanë ruajt veten.
Hajnat më të mëdhenj janë ata që vjedhin merita!Ata që lavdërohen për rezultatet e punëve që kurrë nuk i kanë bërë. Ata që marrin kredi për proceset për të cilat as spektatorë s’kanë qenë.
Hajnat më të mëdhenj janë ata që vjedhin suksese. Sukseset që kurrë nuk i kanë synuar, madje i kanë penguar.
Hajnat e historisë e lavdisë.
Hajnat e idealeve që nuk i besojnë e për to kurrë s’kanë punuar.
Hajnat e kohës, asaj kohës më kritike, të kohës që gjithmonë na ka munguar.
Hajnat e vëmendjes. Hajnat e emocioneve.
Ata që vjedhin e mashtrojnë ndjenjat më të paqta. Që vjedhin entuziazmin dhe e plasin atë. Ata që vjedhin shijet e mira të vatanit dhe ia nxjerrin yndyrën punëve e vaktit.
Ata që ua vjedhin e ua tretin miqtë e dashamirët, e ju lënë të hasmuar – ata të këqinj janë!
Hajnat më të këqinj janë ata që në emër të shpresës vjedhin shpresën, nxisin shpresa të rrejshme, hutojnë njerëzit dhe në fund i lënë. I lënë të pashpresë. I lënë të presin….
Ata që ta vjedhin besimin. Të thojnë beso, e të tradhtojnë. Nxisin besim të rrejshëm, hutojnë njerëzit dhe në fund i lënë. I lënë në pabesi. I lënë të presin….
Pritja, dënim është.
Shkruan: Besa Ismaili