TV OPOJA
Aktuale

NEHAR SHASIVARI DHE FATMIR FEJZIU – DY OPOJANËT E ANGAZHUAR NË ORGANIZIMIN E MËSIMIT NË DISTANCË

Për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë COVID – 19, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT) ka organizuar Platformën e mësimit në distancë (mësimi online). Kjo platformë po realizohet në bashkëpunim me transmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës.
Në këtë projekt janë angazhuar edhe dy profesorë opojanë, përkatësisht Nehar Shasivari, – profesor i lëndës Teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe Fatmir Fejziu, – profesor i Gjuhës Shqipe. I pari është angazhuar për të mbajtur lëndën Teknologji me TIK (klasa e gjashtë) dhe i dyti për lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (klasa e gjashtë).
Në vazhdim do ta bëjmë një prezantim të këtyre dy profesorëve të respektuar që me angazhimin e tyre profesional na bëjnë të krenohemi që i takojnë komunitetit të opojanëve.
NEHAR SHASIVARI
Është i lindur më 05. 07. 1971 në fshatin Bresanë. Në vitin 1993 ka diplomuar në fakultetin e Teknologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa që nga viti 1994 punon si mësimdhënës në SHFMU “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.
Në vitin shkollor 2015/16, Nehari është shpallur si mësimdhënës i dalluar i shkollës, ndërkohë që ka pas vete një eksperiencë të shkëlqyer profesionale: Trajner – kryetrajner i Kornizes Kurrikulare të Kosoves për fushën “Jeta dhe Puna”; Trajner i mësimdhënësve mentorë; Pjesëtar i ekipit profesional të DKA Prishtinë; Vullnetar në Shoqatën “Autizmi Flet”; Hartues i pyetjeve për Teknologji me TIK – Koordinator Nacional për Rini dhe Sport; Udhëheqës në Manifestimin 20/20 të Drejtorisë për Kulturë dhe Sport në Prishtinë “Prishtina Feston, Lexon, Vrapon” dhe tash së fundi pjesë e projektit të mësimit në distancë i njohur si “e – mësimi 2020”.
Nehari është i martuar dhe jeton në Prishtinë. Është i lidhur shumë me vendlindjen dhe me krenari e deklaron origjinën e tij opojane.
FATMIR FEJZIU
Është i lindur më 01.08.1978 në fshatin Bresanë. Në vitin 2003 ka kryer studimet themelore për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës me rezultat të shkëlqyer dhe merr titullin shkencor Profesor. Ndërsa në vitin 2015 i ka kryer Studimet Master në Departamentin e Gjuhës Shqipe, Drejtimi Arsimor.
Për 12 vjet rresht (2005-2017) ka punuar si mësimdhënës i Gjuhës shqipe në Shkollën “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë. Një kohë ka punuar si mësimdhënës zëvendësues i Gjuhës Shqipe edhe në shkollën e mesme të lartë “Xhevdet Doda”, në “Gjimnazi matematikor” dhe në shkollën e mesme të ulët “Dardania” në Prishtinë. Aktualisht punon mësimdhënës në shkollën “Mehmet Gjevori” në Prishtinë.
Edhe Fatmiri ka një eksperiencë të shkëlqyer profesionale. Krahas angazhimit të tij si profesor në institucionet e lartpërmendura shkollore, ai ka dhënë kontributin e tij profesional si redaktor i disa botimeve të Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC); redaktor gjuhësor i temave dhe punimeve shkencore; redaktor dhe lektor i botimeve shkollore, letrare dhe shkencore; ndihmës trajner në programin e Mendimit Kritik gjatë leximit dhe shkrimit; Trajner i ndërmjetësimit në mes të nxënësve bashkëmoshatarë, etj.
Profesor Fatmiri ka realizuar edhe disa dokumentarë: “Qysh kur leu dielli”; “10 vjet në 10 minuta”; “Shkolla e mijëvjeçarit të ri” si dhe Filmin edukativ për fëmijë “Rrugëtimi i Ri”. Është gjithashtu autor i disa shkrimeve publicistike të botuara në mediat e ndryshme.
Fatmiri është i martuar, jeton e punon në Prishtinë. Edhe ky është i lidhur shumë me vendlindjen dhe me krenari e deklaron origjinën e tij opojane. (Demir Reshiti)

Lajme të përafërta

Thaçi: Nëse aktakuza konfirmohet, jap dorëheqje

TV OPOJA
June 29, 2020

Ka filluar trajnimi për robotikë dhe printim 3D nga Tech House në Dragash

TV OPOJA
May 10, 2023

Kadaj-Bujupi: Shtesat për fëmijë mund të rriten në vitet e ardhshme

TV OPOJA
November 14, 2018
Exit mobile version