TV OPOJA
Aktualitet

Në Ditën e Çlirimit të qytetit, Qendra e VV në Sharr përkujtojnë dëshmorët e kësaj treve

Sot, Qendra e VETEVENDOSJE!s në Dragash, ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të qytetit raporton TV OPOJA.
Delegacionit i ka paraprirë deputeti i Kuvendit, Arber Rexhaj, si dhe kryetari i Qendrës, Ibrahim Ajupi.
Përmes shkrimit të tyre, ata kanë përshkruar ndër rreshta secilin nga dëshmorët e trevës tonë.

Për më shumë, postimi i plotë i tyre:

Në Ditën e Çlirimit të qytetit të Sharrit, përkujtuam ata që u sakrifikuan për liri e që sollën çlirim – Dëshmorët nga treva jonë

Sot, me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Sharrit, një delegacion i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, i prirë nga deputeti Arbër Rexhaj, kryetari Ibrahim Ajupi, si dhe aktivistë të tjerë, mbajtën homazhe për dëshmorët e trevës së Sharrit, të cilët ranë heroikisht duke përmbushur obligimin që ia kemi borgj atdheut të gjithë ne si shqiptarë, angazhimin për çështje kombëtare.
Përkujtimi i tyre, vetëm për përvjetore e sa për sy e faqe por jo me vepra e punë konkrete, na ka bërë të ecim në mënyrë regresive.

Nuk do të ketë progres në asnjë fushë, nëse para çdo veprimi nuk marrim parasysh:

– Torturat që përjetuan deri në vdekje, ose thënë më mirë në pavdekësi, profesor Ruzhdi Berisha e Adem Berisha nga agresorët e okupuesit serb;

– Plumbat që ua la për kujtim familjes para se të nisej për në fushën e betejës për të rënë heroikisht dëshmor në front përballë armikut, Avdurrahman Gërdellaj;

– Flijimin duke u dalë në ndihmë shokëve dhe trimërinë e treguar, të dëshmorit Alajdin Xhezairi;

– Ashpërsinë e betejës në 10 metra distancë e krismën e Koshares, ku ra për të mos vdekur kurrë, dëshmori Fetah Sylejmani;

– Besën që kishte dhënë dëshmori Fisnik Ibrahimi se nuk do të kthehej tek familja e vetë pa u çliruar Kosova, e që ëndrrën e tij e realizoi, por duke mos u kthyer vetë, por për të rënë heroikisht për kthimin e lirisë në Kosovë;

– Armën të cilën “Oçalani” siç e thërrisnin të gjithë në UÇK dëshmorin Ilmi Bahtjari, e la amanet që t’i lihet djalit të tij e në këtë mënyrë të mos zbrazet kurrë, në momentet e rënjes heroike;

– Plumbat e shumtë të marrë në gjoks të dëshmorit Ymridin Çengaj, për të vetmin qëllim: realizimin e idealeve kombëtare e çlirimtare;

– Vullnetin e harenë që u krijonte dëshmori Samidin Emini bashkëluftëtarëve edhe gjatë kohës sa ishin në vija të frontit. Përveç se e luftoi me pushkë armikun, gjithashtu edhe me këngë e bënte një gjë të tillë;

– Ushtarin e Kufirit, dëshmorin Tasim Krasniqi, të cilin as gjendja jo e mirë shëndetësore nuk e ndaloi që të jetë në vijë të parë të frontit.

Lavdi përjetë dëshmorëve, sakrifica e të cilëve na e solli lirinë. Mbështetja tek ideali i të cilëve do të na sjellë edhe zhvillimin.
Ata ishin dëshmia jonë e të shkuarës, janë rruga jonë e vazhdimit të asaj që na e sollën duke u vetëflijuar, e gjithnjë do të jenë ndriquesit e rrugës drejt përmbushjes së plotë të betimit të tyre nën flamurin kuq e zi: “çlirimin e trojeve shqiptare dhe Bashkimin e tyre”


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr
15 qershor, 2019

Lajme të përafërta

Caktohet data e mbajtjes së festivalit “Opoja Vallëzon”

TV OPOJA
August 1, 2021

ME GJAKUN E TIJ PËRFORCOI NGJYRËN E FLAMURIT, NË PALËT E TË CILIT U BETUA!

TV OPOJA
May 16, 2019

Bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të komunës së Dragashit (Video, Foto)

TV OPOJA
December 24, 2021
Exit mobile version