Shtabi Emergjent dhe Qendra Operative Lokale Emergjente e kryesuar nga kryetari i komunës Shaban Shabani mbajtën mbledhjen e radhës, ku u diskutua për situatën aktuale dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve nga mbledhja e kaluar.
Në këtë takim u konstatua se gjendja aktualisht në komunën e Dragashit mbetet e qetë e stabile sa i përket pandemisë dhe u tha se nuk ka persona të dyshuar dhe as të konfirmuar me Covid-19.
Gjithashtu shtabi emergjent shpreh mirënjohje dhe falënderime për gjithë stafin shëndetësor, policinë, inspektoratin dhe gjithë akterët tjerë për kontributin e vazhdueshëm në luftën e përbashkët kundër Covid-19 .
Në kuadër të pikave të rendit të ditës u diskutua edhe për angazhim shtesë me qëllim që të ruajmë këtë situatë që kemi deri tani. Në kuadër të këtyre masave shtabi emergjent vendosi që punimet e parapara që lidhen me realizimin e investimeve kapitale të shtyhen fillimisht deri me 4 maj e pastaj të vendoset varësisht prej situatës.
Kryetari i komunës njoftoi shtabin emergjent se me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme është themeluar Qendra Operative Lokale Emergjente me koordinator Vloran Cenaj e cila është vendosur tek njësia e zjarrfikësve me qëllim të koordinimit të lëvizjes së lirë dhe trajtimit të lejeve brenda komunës dhe jashtë saj. Për lëvizjet brenda territorit të komunës lejet për qarkullim miratohen nga shtabi emergjent ndërsa për qarkullim jashtë komunës së Dragashit kërkesat drejtohen tek Qendra Operative Lokale Emergjente të cilat përcillen për miratim në nivel qendrorë tek Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në këtë takim kryetari njoftoi anëtarët e shtabit se furnizimi me pako ushqimore e higjienike e material është në proces të realizimit dhe menjëherë pas përfundimit të procedurave do të shpërndahen tek familjet në nevojë që parashihet të kryhet brenda 10 dite bazuar në regjistrin e hartuar nga komisioni i zgjedhur i shtabit emergjent. Për mbështetjen e familjeve në nevojë referoi edhe anëtari i shtabit emergjent nga Kryqi i Kuq, Muhamer Rexhepi. Ai njoftoi shtabin për shpërndarjen e pakove ushqimore e higjienike që janë sjellë donacion dhe që janë shpërndarë te shumë familje në nevojë.
Anëtarët e shtabit falënderuan të gjithë organizatat dhe komunitetin e biznesit që ofruan mbështetje për qytetarët e komunës tonë në këto kohë të vështira të pandemisë Covid-19.