Shtabi Emergjent dhe Qendra Operative Lokale Emergjente e kryesuar nga kryetari i komunës Shaban Shabani mbajtën mbledhjen e radhës, ku u diskutua për situatën aktuale dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve nga mbledhja e kaluar.
Kryetari Shaban Shabani fillimisht i falënderoi të gjithë punëtorët shëndetësorë, policinë , inspektoratin, Këshillin e Bashkësisë Islame bashkë me imamet e xhamive, Kryqin e Kuq, shtabet emergjente të fshatrave dhe të gjithë akterët tjerë që po angazhohen për të mirën e qytetarëve gjatë kësaj kohe të pandemisë.
Duke pasur parasysh rritjen e numrit të rasteve pozitive në Dragash, kryetari bëri thirrje për të shtuar kujdesin, ngase ky numër mund të rritet akoma më shumë dhe më shpejt në të ardhmen.
Numri i rasteve pozitive në Dragash tanimë është 3, ku prej të cilëve 2 janë në klinikën infektive në QKUK në Prishtinë, ndërsa familjarët janë në vetizolim.
Në këtë takim i është bërë apel Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar për Shëndet Publik që sa më parë që është e mundshme të bëjnë testimin e familjarëve të prekur me COVID-19.
Lidhur me shpërndarjen e pakove ushqimore e higjenike, kryetari bëri të ditur se ato po shpërndahen për familjet në nevojë, identifikimi i të cilave është bërë nga lista e Qendrës për Punë Sociale, Kryqit të Kuq e OPFAKOS.
Kryetari foli edhe për qytetarët të cilët kanë nevojë urgjente të marrin leje për qarkullim duke njoftuar se për këtë duhet të dërgojnë kërkesë në email adresën:
qendraoperativedragash@rks-gov.net
Rrini në shtëpi!
Mbajeni distancën!