TV OPOJA
Aktuale

Ligjëratë për trevën e Opojës nga antropologeje austriake, Carolin Leutloff-Grandits

Në prezencën e një numri të konsiderueshëm të albanologëve nga vendi dhe të huaj, më datën 18. 07. 2024, në sallën ovale të Institutit Albanologjik, antropologeja austriake, Carolin Leutloff-Grandits, mbajti ligjëratën për studimin në trevën e Opojës. Në fakt, autorja, përmes kësaj ligjërate, bëri edhe prezantimin e librit, “Translocal Care Across Kosovo’s Borders. Reconfiguring Kinship Along Gender and Generational Lines (Kujdesi translokal përtej kufijve të Kosovës. Rikonfigurimi i farefisnisë përgjatë vijave gjinore dhe të breznive) [Berghahn 2023]”, ku theks të veçantë në këtë studim i kushtohet trevës së Opojës. Ky takim shkencor, u organizua nga Dega e Etnologjisë e Instituti Albanologjik.
Në fjalën e hapjes, Dr. Angjelina Hamza-Hasanaj, shefe e Degës së Etnologjisë në IA, falënderoj studiuesen dhe të pranishmit, duke nënvizuar se ligjërata të tilla do të organizohen në vazhdimësi nga kjo degë. Për më tepër, studiuesja Hamza, shtoi se në këtë prezantim antropologeja austriake, Carolin Leutloff-Grandits, do të ndajë me ne njohuritë dhe përvojën e saj. Një temë dhe hulumtim shumë i rëndësishme për zhvillimin, njohjen dhe trajtimin e kulturës shqiptare në Kosovë përgjatë periudhave të ndryshme. Shefja e Degës, potencoi se ky prezantim ka rëndësinë dhe peshën e vet, për vetë faktin e paraqitjes së rezultateve studimore për kulturën shqiptare, si dhe një mundësi e shkëlqyer për të mësuar dhe për të diskutuar ide të reja që mundtë ndihmojnë në përmirësimin e praktikave tona studimore; – theksoi në mes tjerash etnologia Hamza.

Më pastaj fjalën e mori, Dr. Lumnije Kadriu, bashkëpunëtore e lartë shkencore, në Degën e Etnologjisë të IA, duke potencuar se Opoja për shkak të trashëgimisë së pasur folklorike e etnografike që ruan, ka qenë objekt studimi i disa studiuesve në të kaluarën, e tani, kjo trevë, ka zgjuar interesim edhe të antropologes Carolin Leutloff-Grandits.

Në prezantimin e saj antropologeje austriake, Carolin Leutloff-Grandits, e potencoi se për tu marr me trevën e Opojës është frymëzuar nga studiuesja e njohur, antropologeje amerikane Janet Reinck. Pjesë e studimit të Carolin Leutloff-Grandits janë migrimi, familjet e mëdha, dasmat etj., të trevës së Opojës. Kjo ligjëratë zgjoi kureshtjeje edhe te të pranishmëve nga studiuesit e kësaj fushe, të cilët shtruan pyetje të ndryshme në lidhje me këtë studim dhe trevë.

Kush është Carolin Leutloff-Grandits?
Carolin Leutloff-Grandits, Dr. habil. phil., është antropologe sociale dhe studiuese e lartë në qendrën ndërdisiplinore Viadrina Center B/ORDERS IN MOTION në Universitetin Evropian Viadrina. Ajo gradën e saj të doktoratës e mori nga Universiteti Martin-Luther në Halle (Saale) dhe studimete post-doktoratës i kreu (Venia legendi) në antropologji sociale në Universitetin e Vjenës. Hulumtimi i saj përqendrohet në migrimin dhe kufijtë, duke e ndërlidhur atë me fushat e sigurisë sociale dhe të kujdesit për familjen, si dhe në ndërmarrësi. Ajo është veçanërisht e preokupuar me vendet e ish-Jugosllavisë dhe Gjermaninë, përfshirë këtu ish-rajonin kufitar brenda për brenda-gjerman.
Përveç monografisë së saj me titull “Translocal Care Across Kosovo’s Borders. Reconfiguring Kinship Along Gender and Generational Lines [Kujdesi translokal përtej kufijve të Kosovës. Rikonfigurimi i farefisnisë përgjatë vijave gjinore dhe të breznive]” (Berghahn 2023), ajo ka botuar edhe “Claiming Ownership in Postwar Croatia. The Dynamics of Property Relations and Ethnic Conflict in the Knin Region” (Lit 2007). Kohëve të fundit ajo ishte redaktore e rubrikës së veçantë “The Balkans as “Double Transit Space”: Boundary Demarcations and Boundary Transgressions Between Local Inhabitants and “Transit Migrants” in the Shadow of the EU Border Regime” në revistën për studime të zonave kufitare –Journal for Borderlands Studies (2023), ndërkaq ishte bashkë-redaktore e antologjisë me titull “Border Complexities and Logics of Dis/Order”. Volume 1, (së bashku me Christian Wille, Falk Bretschneider, Sylvie Grimm-Hamen, Hedwig Wagner), Baden-Baden: NOMOS (2024).
Aktualisht, ajo është duke punuar në një projekt kërkimor-hulumtues, të financuar nga Leibniz mbi ndërmarrësit e diasporës dhe ndërlidhjen e migrimit dhe zhvillimit në Kosovë.

Prishtinë, më 18. 7. 2024
Nuridin Ahmeti

Lajme të përafërta

Kuvendi shkon në pauzë, Nuk ka vendim për Trustin

TV OPOJA
June 22, 2022

Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë, shkon në 1.89 euro një litër (FOTO)

TV OPOJA
June 1, 2022

Edhe një rast me Covid-19 në komunën e Dragashit

TV OPOJA
April 27, 2020
Exit mobile version