Një komunikatë e lëshuar për media nga Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Sharr bëhet e ditur se ajo nuk do të bashkëqeveris me Lidhjen Demokratike të Kosovës dega në Dragash.
KOMUNIKATË
Si qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr, në balotazhin e 14 nëntorit, vendosëm që të kontribuojmë për ndryshimin që i duhej komunës tonë. Në suaza të kësaj, me partinë fituese të zgjedhjeve, LDK-në, kemi nënshkruar një marrëveshje koalicioni e cila fokusin themelor e ka tek parimet e qeverisjes.
Dega e LDK-së në Sharr, përmes takimeve zhvilluar sëfundmi, përfshirë krerët e saj, e përgjatë ditës së djeshme edhe me kryetarin e komunës, na e thanë qartazi që nuk e kanë seriozisht ndryshimin në komunë, duke mos respektuar marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
Ne jemi të bindur që vendimi ynë për ta dërguar PDK-në në opozitë ka qenë i duhur, i drejtë dhe mëse i nevojshëm. Ashtu sikurëse jemi të bindur që ndryshimi në komunë duhet të jetë substancial e përmbajtësor.
Meqë dega e LDK-së në Sharr nuk e ka seriozisht ndryshimin dhe shenjë për këtë është shkelja mbi parimet e marrëveshjes që mundësoi ndërrimin e qeverisjes në komunë, nuk ka më kuptim që si Lëvizje VETËVENDOSJE! të përfshihemi në një ekzekutiv të tillë komunal.
Jo se prisnim shumë më ndryshe, por mbështetja jonë, më shumë se sa për fitoren e LDK-së ishte përmbushje e një obligimi ndaj më shumë se 2300 votuesëve të cilët na deleguan përgjegjësi përtej së qëndruarit neutral në periudhën e balotazhit.
Ka shumë punë për ta arritur ndryshimin e vërtetë në komunën tonë. Lëvizja VETËVENDOSJE! në Sharr do të jetë në opozitë përgjatë 4 viteve të ardhshme, duke mbrojtur interesin publik e duke përcjellur me vëmendje secilin hap që do ndjekë qeverisja aktuale.
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sharr,
11 janar 2022