Kuvendi Komunal i Dragashit ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës ishte propozimi i kuvendarëve të PDK-së, që të miratojë një deklaratë në të cilën vlerësohet lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përkrahur nga forcat e NATO-s e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklarata vlerëson të paprecedent dhe dënon publikimin e njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për aktakuzë ndaj dy liderëve kryesorë të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke shprehur bindjen për pafajësinë e tyre.
Edhe përfaqësuesit e partive tjera të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Dragashit shprehën përkrahjen e tyre për luftën e drejtë të UÇK-së, nevojën për një bashkëpunim më të mirë institucional dhe për nevojën për hartimin e ligjit me të cilën do të mbroheshin vlerat e luftës në mënyrë institucionale.
Lufta për çlirim ka qenë luftë e drejtë, mbrojtëse dhe pjesëtarët e UÇK-së janë heronjtë tanë të cilët deri më tani janë ballafaquar me shumë sfida dhe tentativa të pareshtura për etiketim e njollosje.
Agresori i vërtetë është Serbia, dhe kriminelët e vërtetë janë përtej kufirit.
Pas diskutimeve deklarata u miratua me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Dragashit, me përjashtim të anëtarit të VV-së.