TV OPOJA
Sport

Kuka fajëson mjekun e kampionatit për humbjen e Kelmendit në Abu Dhabi

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka fajësuar mjekun e kampionatit në Abu Dhabi, për humbjen e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi në finale.

Finalja mes Kelmendit dhe Odette Giuffrida, në kategorinë deri 52 kilogramë, u ndërpre për shkak të gjakderdhjes së pandërprerë nga hunda e Kelmendit. Këtu, Kuka ka fajësuar mjekun e kampionatit për të cilin ka thënë se nuk e bënte punën siç duhej dhe se ishte tejet i ngadalshëm.

“Gjatë një momenti, Majlinda ra pikërisht në hundë, të cilën e lëndoi në çerekfinale, dhe nisi gjakderdhja më shumë se që duhej. Kur shkoi te mjeku, mua më duket se ishte një mjek joprofesional për sportin tonë. Mendonte se sanimi i lëndimit mund të bëhej edhe pa mjetet e duhura. Është një ‘ngjitës mjekësor’ që e përdorin boksierët dhe që menjëherë pas lëndimit prapë marrin goditje. Në xhudo s’ka goditje. Ai bënte intervenim të ngadalshëm dhe për shkak të intervenimit joprofesional u detyrova t’i them që vepro më shpejtë. Ai u përgjigj shkurt ‘se unë i këqyri punët e mia’. Mua më dukej se nuk i bënte mirë punët”, ka thënë Kuka në një intervistë për Express të KTV-së.

Ai ka thënë se ndërprerja e shpeshtë e meçit dhe pushimi nga dhjetë minuta e kthimi në tatami nuk i bën mirë një garuesi. Në rastin e dytë të ndërprerjes, Kuka ka thënë se e ka parë që nuk mund të ketë më garë dhe ka pranuar ndërprerjen e luftës.

“Gjyqtari spanjoll ka kërkuar nga unë që duhet ta ndërpresë e më falënderuan të gjithë duke më thënë se mirë që mendove për garues dhe jo për medalje”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Kelmendi është shprehur tejet e lumtur për kthimin pas një kohe të gjatë. Ajo ka thënë se e ka pasur të lehtë pjesëmarrjen pasi ka ushtruar mjaftueshëm dhe ishte motivuar nga sukseset e Nora Gjakovës, Distria Krasniqit e Akil Gjakovës.

“14 muaj s’kam garuar dhe më kishte marrë malli aq shumë sa që isha më e kujdesshme se që duhet. Pata fokus të mirë deri kur e lëndova hundën. Prej atij momenti në çerekfinale isha më e stresuar sepse gjakderdhja nuk u ndalte e jo për shkak të kundërshtarëve. Pritja vetëm momentin kur doktori të më thoshte se s’bën të garoj. Në finale vendosën me e ndërpre luftën, por ishte ditë e mirë dhe ndoshta ishte motivuese për mua duke pa Norën e Distriën dhe garën e tyre. Kur ka energji pozitive në ekip gjithçka është më e lehtë”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se i duhet akoma punë për të qenë në formën më të mirë, ndërsa ka vlerësuar se është duke garuar vazhdimisht e më shumë e relaksuar “sepse në çdo garë të gjithë garuesit kosovarë po kanë shanse për medalje dhe presioni tek unë është më i vogël”.

Në grandslamin në Abu Dhabi Kosova fitoi katër medalje, një të artë përmes Nora Gjakovës e tri të argjendta përmes Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit e Akil Gjakovës.

Lajme të përafërta

Amir Rrahmani pozitiv me COVID-19, i mungon Kosovës

TV OPOJA
October 6, 2020

​Kosova fitoi 4 medalje në Dubrovnik por Driton Kuka nuk është i kënaqur

TV OPOJA
October 4, 2020

Klubi i kuajve Liridona dhe e ardhmja e garave me kuaj.

TV OPOJA
January 5, 2019
Exit mobile version