“Të dashur qytetarë të komunës së Dragashit,
komuna e Dragashit vazhdon të mbetet e paprekur nga Covid-19. Pavarësisht kësaj jemi dëshmitarë se çdo ditë kemi raste të reja në pothuajse nëpër të gjitha komunat duke përfshirë edhe izolimin e tërësishëm të tyre. Kjo tregon për shkallën e seriozitetit dhe rrezikun e lartë që i ekspozohemi. Ne bashkë me ju gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar të japim maksimumin për të ruajtur këtë gjendje që kemi.
Është e domosdoshme vigjilenca në këtë periudhë të vështirë që po kalon gjithë bota përfshirë dhe vendin tonë. Masat kufizuese janë në të mirë të përgjithshme.
I bëj thirrje banorëve të komunës së Dragashit të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e Institutit Kombëtar për Shëndet Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk është vonë për secilin prej nesh, që të shfaqim përgjegjshmëri shoqërore dhe kujdes për njëri – tjetrin, duke bërë gjënë më të thjeshtë në botë: Të mbajmë higjenën, të respektojmë distancat, dhe mbi të gjitha të bëjmë durim për të qëndruar në shtëpi. Ekipet tona mjekësore, policia, inspektorati dhe shumë partnerë mbeshtetës janë në gjendje gatishmërie në çdo kohë. Do ta kemi vështirë por kjo është një luftë që mund ta fitojmë. Por, vetëm bashkë. ”
QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!
MBANI DISTANCË FIZIKE PËR SË PAKU 2 METRA!