Duke pasur parasysh rrethanat aktuale rreth zhvillimeve në Gjykatën Speciale, vetvetiu shtrohen shumë pyetje dhe dilema: Pse ndodhi kjo? Si ndodhi kjo? Kush na e bëri këtë? Çka synohet përmes këtyre gjërave? Çka duhet të bëhet nga ana jonë? etj…
GABIMET TONA
Meqenëse lufta është zhvilluar në situata shumë të pafavorshme për shqiptarët, si dhe në raport të pabarabartë me armikun, shumë pak mund të flitet rreth zhvillimeve negative të mundshme gjatë kohës së luftës. Por menjëherë në periudhën e pasluftës mund të flitet për disa gjëra të cilat kanë ndodhur si veprime, apo kanë ndodhur edhe si mosveprime të palës shqiptare.
Fillimisht nën gjendjen e dehjes delirante të lirisë, krerët udhëheqës të luftës si dhe disa pjestarë të saj, nuk e kanë parashikuar mundësinë e veprimit anarkist të individëve të caktuar që nënkupton keqpërdorime e uzurpime të ndryshme, në veçanti të pronave të pjestarëve të popullatës serbe.
Duhet përmendur këtu edhe shkaqet e largimit të popullatës serbe. Dihet se asnjë mashkull serb i aftë për luftë, nuk ka mbetur i pamobilizuar e i paarmatosur nga shteti serbë, për t’u inkuadruar në nivele të ndryshme të formacioneve të forcave serbe.
Kjo ka nxitur natyrisht edhe urrejtjen e popullatës civile shqiptare si e viktimizuar, qoftë nga vrasjet e shumta, qoftë nga malltretimet fizike, qoftë nga shpernguljet që u kanë ndodhur shqiptarëve nga forcat serbe. Prandaj edhe veprimet joracionale të individëve të caktuar, në emër të hakmarrjes kanë rezultuar me këto keqpërdorime që u përmendën si uzurpime, e madje edhe në vrasje të individëve të popullatës serbe. Ndër viktimat nga popullata serbe janë edhe disa pleq e plaka të cilët nga persona të papërgjegjshëm, kokë në vete janë vrarë. Vrasja natyrisht se nuk arsyetohet dhe këto vrasje janë bërë jo nga veprimi patriotik, por në emër të patriotizmit me qëllim përfitimi të pronës së përsonit të vrarë.
Të gjitha këto veprime, është dashur dhe duhet të identifikohen kryerësit e këtyre veprimeve, dhe ndaj tyre duhet të kërkohet llogari ligjore.
Sa është punuar në drejtim të identifikimit të keqbërësve në rrathët e shqiptarëve mund ta marrim me mend me faktin se sa është bërë në mbledhjen e fakteve për të gjitha krimet serbe të kryera në Kosovë.
Pas luftës, dihet që drejtësinë e kishte UNMIK-u, prandaj me rastin e zgjedhjes së gjykatësve dhe prokurorëve nëpër gjykata të ndryshme në nivel të Kosovës, si kriter nga ndërkombëtarët, si kusht themelor u vendos përvoja e punës, që në këtë rast u kërkua që çdo kush që pranohej si gjykatës apo prokuror duhej të kishte së paku 10 vjet përvojë të punës. E në rastin e Kosovës dihet se shoqëria kosovare ishte e sapo dalë nga lufta dhe nuk u krijua mundësia reale për tu përzgjedhur njerëz të profesionit që ishin edhe të aftë, por edhe që e kishin ideal shtetndërtimin e Kosovës.
Pra nuk u krijua mundësia që të përzgjidheshin njerëz me ndërgjegjje të pavrarë. Në këtë rast faktori vendor, pra udhëheqësit në kohën e QPK-së, nuk rezistuan ndaj ndërkombëtarëve. Këtu u bë gabimi themelor. Kjo ndikoi që njerëzit me ndërgjegjje të vrarë që ishin përzgjedhë si gjykatës e prokurorë, të ishin të dëgjueshëm dhe elastik tej mase. Ata kishin dhënë dëshmi edhe më përpara, në periudhën e monizmit, që kanë qenë të dëgjueshëm pjesa dërmuese e tyre. Kjo më vonë rezultoi me moskëmbëngulësinë e këtyre gjykatësve për të mos gjykuar drejtë rastet me të cilat janë marrë në gjykata.
Nuk u formua asnjë mekanizëm që do të merrej me grumbullimin e krimeve të forcave serbe në Kosovë. Për të mbledhur kështu dëshmitë e njerëzve të gjallë për vrasjet, për dhunimet, për torturat, për plaqkitjet ndaj të gjitha kategorive në Kosovë.
Është e qartë se drejtësinë në dorë e kishte UNMIK-u dhe si rrjedhojë shumë pak hapsirë kishte Kosova për të ndërmarrë diçka konkrete ndaj krimineleve të luftës. Por mbledhjen e dëshmive nuk mund ta ndalonte askush.
Pas vitit 2008 kur kompetencat e drejtësisë i’u dhanë vendorëve, përsëri u vazhdua me avazin e vjetër: nuk u mblodhën dëshmitë dhe si rrjedhojë nuk u bë asnjë akuzë ndaj asnjë eprori serb, ndaj asnjë ushtari serb, dhe as ndaj vetë shtetit serb nga pala shqiptare.
Përpos dehjes nga liria, këtu hyjnë edhe sugjerimi i “disa miqve tanë ndërkombëtar”, e të cilin sugjerim krerët udhëheqës të Kosovës e pranuan me absolutizëm si sugjerim të sinqertë dhe të vërtetë të të gjithë miqve tanë ndërkombëtar. Dhe ky sugjerim kishtë të bënte me atë se: vërtet ju keni humbur shumë viktima, por Serbia ka humbur më shumë, sepse e ka humbur përfundimisht Kosovën, kështuqë ju si palë e fituar duhet të kontriboni më shumë në drejtim të relaksimit të mardhënieve me Serbinë, e që kjo gjë nuk bëhet duke ua treguar popullatës ngjarjet e luftës dhe veprimet e forcave serbe.
Janë individ ata që kanë punuar diçka në këtë drejtim, për të zbardhur ngjarje e krime të caktuara të forcave serbe. Të gjitha këto duhej ti bënim ne, në bazë institucionale. Ti kishim të mbledhura të dhënat e gatshme. Dhe vërtet kush duhet ti kryente këto punë për Kosovën nëse jo vetë institucionet e Kosovës?
Pas shpalljes së Pavarsisë, doli libri i Carla Del Pontes “Gjahu”, e pas këtij libri u inicua raporti i Dik Martit. Pra raporti i Dik Martit ishte derivat i librit të Carla Del Pontes. Pak rëndësi ka kush e inicoj shkrimin e librit, botimin, financimin etj., por ka rëndësi përmbajtja e gjërave që nuk qëndrojnë as në librin e Del Pontes, e që rrjedhimisht këto gjëra pasuan në formë të fryrë në raportin e Dik Martit.
Përsëri Kosova nuk ndërmorri hapa të mbledhjes së të dhënave për krimet serbe për t’iu kundërpërgjegj këryre insinuatave të orkestruara antishqiptare.
Në vend të mosveprimit tonë, të institucioneve tona, veproi sërish Serbia, nën tokë e mbi tokë. Ajo arriti që të grumbulloj siç pohon edhe vetë Vlladan Batici ish ministër i drejtësisë në qeverinë e Serbisë që Serbia ka grumbulluar më se 50 mijë faqe materiale të shkruara, fotokrafi, faksimile etj. kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër UÇK-së. Të dhënat tona sërish mungojnë. Ato nuk janë mbledhur, nuk janë sistemuar dhe si rrjedhojë nuk janë plasuar në asnjë adresë ku duhet.
Pas vitit 2008 përkatësisht pas marrjes së drejtësisë në duart e institucioneve vendore, ishte mundësia që të krijohej ndonjë gjykatë që do të merrej me trajtimin e elementeve keqbërës në rradhët e shqiptarëve, të cilët kanë vepruar qoftë gjatë luftës, e në veçanti menjherë në priudhën e pasluftës. Kjo nuk u bë dhe si rrjedhojë la pasoja të mëdha më vonë. Kjo gjë krijoi bindje edhe te miqtë tanë në thonjëza, edhe të miqtë tanë pa thonjëza, se krimi nuk luftohet në Kosovë.
Në anën tjetër Serbia vazhdonte me intenzitet të shtuar mbi tokë e nën tokë, që të punonte kundër UÇK-së, përkatësisht kundër shqiptarëve, pra kundër Kosovës. Serbia gjithashtu para syve të botës, krijoi të ashtuquajturën Gjykatë të Krimeve të Luftës, përmes së cilës filloi të bëj skema teatrale me gjykime të caktuara për raste gjithashtu të caktuara të krimeve serbe në Kosovë, duke i’a mveshur këto individit dhe jo shtetit. Ngjajshëm si Millosheviqi, që në Gjykatën e Hagës nuk i bëri asnjë pyetje dëshmitares së gjallë nga familja Berisha në Suharekë, por e shfrytëzoj rastin që ti shprehte ngushëllime duke potencuar se shteti nuk qëndron pas këtij veprimi dhe ata që kanë vepruar kështu, shteti i Serbisë duhet ti dënoj.
Kur doli ideja për formimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, pala kosovare e pranoj duke qenë e bindur se nuk ka krime të kryera nga shqiptarët. Natyrisht rezultati aktual është në disfavor të Kosovës dhe shqiptarëve, edhe pse dihet, madje edhe nga vetë Serbia, se rezultati i gjykimeve në këtë të ashtuquajtur Gjykatë Speciale do të jetë zero. Pra shumë zhurmë për asgjë, por gjatë kësaj kohe imazhi për Kosovën dhe shqiptarët është vërtet i keq. Kësaj gjendjeje i kemi ndihmuar me të gjitha këto veprime përkatësisht mosveprime të institucioneve tona.
Ashtu siç ishim dehur nga liria, disa nga udhëheqësit tanë në periudhën e pasluftës, ashtu janë dehur edhe disa personalitete serbe në Serbi pas veprimeve të fundit të Gjykatës Speciale, sa që nuk po mund ta mbajnë msheftë as faktin se: këta janë meritorët që paskan mbledhur fakte kundër UÇK-së dhe të gjitha i kanë deponuar te Dik Marti dhe prokuroria e kësaj gjykate.
Përderisa edhe udhëheqësit aktual të Serbisë (Vuçiçi, Daçiçi etj) janë pinjollët e politikës dhe qeverisë së Millosheviçit, atëherë kuptohet vetvetiu se cili është qëndrimi i sigurimit shtetëror serb ndaj UÇK-së dhe Kosovës.
Prandaj edhe prokuroria nuk mund të mos e ketë parasysh këtë gjë, se është duke e luftuar krimin e “UÇK-së” me armët e huazuara nga Serbia. Natyrisht se këtë gjë nuk mund të mos e ketë parasysh as gjykata. E rrejdhimisht nuk mund të mos e ketë parasysh as politika evro-amerikane.
Kësaj gjendjeje dhe ndryshimit të imazhit për Kosovën në arenën ndërkombëtare të lënduar nga Serbia përmes propagandës së saj, i duhet dhënë përgjigjje. Dhe përgjigjja nuk është një dimensionale.
Përgjigjja duhet dhënë në çdo sferë të jetës ku Serbia e ka atakuar qënjen shqiptare.
Prandaj edhe qëllimi i këtij shkrimi nuk është për të vajtuar se çka nuk u bë, dhe çka u bë keq. As për të identifikuar fajtor se kush kontriboi me vetëdije apo pa të për këtë gjendje.
Qëllimi në këtë rast është që të trokasim në ndërgjegjjen e secilit, sipas hierarkisë së pozitës së individit në shoqëri. Për të shikuar nga e ardhmja dhe për jo për ta vajtuar të kaluarën. Për të ndryshuar të sotmen duhet ndërruar ritmin e veprimeve, përkatësisht mosveprimeve të institucioneve tona karshi interesave kombëtare.
ÇKA DUHET TË BËHET
Duhet formuar mekanizëm që do të merrej me grumbullimin e krimeve të forcave serbe në Kosovë. Ky mekanizëm duhet të ketë shtrirje në tërë Kosovën.
Të bashkëpunohet edhe me aktivistët apo shoqatat që janë marrë në ndonjë formë me çeshtjen e krimeve serbe në Kosovë.
Veçmas me KMDLNJ. Ekspertët juridik të këtij mekanizmi do të duhej që të hulumtonion mundësitë për padi ndaj shtetit serb, si dhe ndaj kierarkisë ushtarake të formacioneve serbe, konform të dhënave të shumta që janë të njohura për komandantë, ministra, drejtor e usharak të niveleve të ndryshme në çdo vend të Kosovës, duke përfshirë përgjegjësit e krimeve të shumta në secilën masakër të bërë nga Serbia.
Ato të dhena do të duhej të deponoheshin në të gjitha instancat e drejtësisë ndërkombëtre. Në veçanti avokatët mbrojtës të të akuzuarve të UÇK-së, të cilët do tu kundërviheshin me një mal të dhenash, për vrasje të civilëve (pleq, fëmijë, gra), për dhunimet, dëshmitë për gjenocidin, etnocidin, kulturocidin serb të ushtruar ndaj shqiptarëve. Përkthimin e atyre të dhënave e dëshmive të shumta në gjuhë të ndrsyhme të botës, dhe botimin në blej (libra të veçantë). Të gjitha këto gjëra duhet ti financoj e paguaj shteti, duke pasur qasje të drejtpërdrejtë në këto, ashtu siç shteti duhet të ketë qasje të drejtpërdrejtë në ofrimin e të gjitha mundësive lehtësuese duke financuar të gjitha shpenzimet e mbrojtjes dhe procedurave të tjera për secilin të akuzuar, deri në përfundimin e gjykimit.
Duhet krijuar unitet mes partive rreth kësaj çeshtjeje, sepse nuk është koha për të përfituar politikisht askush, as në emër të asaj se kush gaboi e kush ndihmoi për këtë gjykatë, e as për të tentuar që në emër të ndihmesës për ti sjellë Kosovës plagë të reja. Kosova ka përjetuar shumë raste të plagosjes jo vetëm nga të huaj nga tentimet për ti vënë vetulla, sepse rreziku më i madh është tani më shumë se kurrë për të ja nxjerrë sytë.
E vërteta, nuk është dhe nuk mund të jetë se kush si deklarohet, qoftë ky individ apo subjekt politik, por e vërteta matet, me sjelljet dhe veprimet praktike në shoqëri të secilit individ dhe subjekt politik dhe institucion.
Autor: Bedri Halimi
(Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)