Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Policia sot ka zbuluar 90 kilogramë drogë.
Ai në Facebook ka shkruar se Policia ka arrestuar dy persona lidhur me rastin, përcjell TVOpoja.
“Sapo u zbuluan mbi 90 kg drogë e llojit marihuanë dhe u arrestuan dy persona. Shqetësimi juaj për përhapjen e përdorimit të llojeve të ndryshme të drogave, sidomos nga fëmijët është thirrje për institucionet që të punojnë dhe luftojnë pakompromis grupet kriminale”, ka shkruar ministri.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sapo u zbuluan mbi 90 kg drogë e llojit marihuanë dhe u arrestuan dy persona. Shqetësimi juaj për përhapjen e përdorimit të llojeve të ndryshme të drogave, sidomos nga fëmijët është thirrje për institucionet që të punojnë dhe luftojnë pakompromis grupet kriminale.
Kjo është vazhdimësi e angazhimit tonë të përbashkët në luftën kundër narkotikëve që po zhvillohet me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Mirënjohje për të gjithë zyrtarët e angazhuar maksimalisht në këtë drejtim, për të shkatërruar grupet kriminale dhe për të bërë vendin tonë të sigurt për të gjithë.
Porosia është e qartë: Nuk do të bëjmë asnjë kompromis për asnjë individ dhe do të shkatërrojmë çdo grup të organizuar kriminal të cilët po trafikojnë apo po kultivojnë drogë në Kosovë. Atë do të bëjmë çdo ditë dhe në çdo cep të Kosovës!