Ngjarjen e ka treguar një djalë nga të penduarit, i cili ka thënë:

“Në lagjen tonë ishte një xhami e vogël. Imami i saj ishte një hoxhë plak. Një ditë ai doli para xhematit dhe pyeti: “Çka po ndodh me njerëzit e lagjes? Çdo ditë janë gjithnjë e më pak në xhami, sidomos të rinjtë!”

Të pranishmit i thanë se, aty në afërsi është një diskotekë dhe të rinjtë e lagjes, kryesisht, po shkojnë atje. Hoxha nuk e dinte se çka është diskoteka, kështu që të pranishmit ia shpjeguan se aty është një lokal ku njerëzit mblidhen, dëgjojnë muzikë dhe shikojnë femra gjysmë-lakuriqe.

Ai i pyeti: “Ata njerëz të cilët mblidhen aty, a janë muslimanë?”

Xhemati u përgjigjen pozitivisht.

Hoxha i vjetër u ngrit dhe tha: “La havle ve la kuvvete il-la bil-lah!!! Atëherë, ejani të shkojmë e t’i këshillojmë! Ajo që po bëjnë është mëkat i qartë.”

Të pranishmit i thanë: “Të shkojmë në diskotekë dhe atje t’i këshillojmë?!”

Hoxha u përgjigj: “Po, le të shkojmë atje!”

Xhemati u përpoqën që ta bindin për tu zmbrapsur, duke i thënë se me siguri do të hasë në tallje dhe fyerje nga të pranishmit, por hoxha nuk u ua vuri veshin. E mori një nga të pranishmit për dore dhe e urdhëroi që ta dërgojë në atë vend. Kur arritën para ndërtesës ku ndodhej diskoteka, aty hasen në rojet e sigurisë. Hoxha u kërkoi atyre që ta dërgojnë te pronari i lokalit, dhe ata e dërguan. Sapo arritën, ai i pyeti se çka dëshirojnë.

Hoxha seriozisht dhe me gjakftohësi u përgjigj: “Ne duam të hyjmë në lokal dhe t’i këshillojmë mysafirët tuaj !!!”

Pronari i lokalit kurrë më parë nuk kishte pranuar kërkesë të ngjashme. Ai i shikoi me habi të tubuarit. Grupi, kryesisht, me njerëz të moshuar, të cilët zakonisht nuk i kishte pasur si musafirë në lokalin e tij, kurse para tyre imami i vjetër i xhamisë së vogël, me mjekër të gjatë e të bardhë, me një shenjë në ballë nga sexhdeja për Allahun!

“Çka po doni?” – i pyeti pronari.

“Po kërkojmë që të na lejosh të hyjmë brenda dhe t’i këshillojmë të pranishmit!” – e përsëriti imami plak.

Pronari refuzoi kategorikisht. Mirëpo, imami insistoi shumë, derisa pronarit i ofroi edhe para dhe e luti që shuma të cilën do ta paguajnë, le të jetë si biletë hyrëse në lokalin e tij. Pronari më në fund pranoi, por me kusht që ata të vinin nesër në të njëjtën kohë. Ashtu edhe ndodhi.

Ditën e nesërme, para diskotekës, përsëri mund të shihej një skenë e çuditshme. Një grup i xhematit të udhëhequr nga imami i lagjes, hynë në lokalin në të cilin hyjnë vetëm njerëzit me moral të dyshimtë.

Hoxha u ndal në derë, duke shikuar sesi njëra nga ‘punonjëset’ po e ekzekutonte “pikën” e saj. Diskoteka ishte pothuajse e mbushur plotë. Sapo u hesht muzika, hoxha iu afrua pjesës qendrore të diskotekës dhe e filloi fjalimin e tij me bismilah, me falënderim për Allahun dhe me salavat për Muhamedin (savs), pas të cilit filloi t’i këshillojë të pranishmit.

Në fillim, njerëzit menduan se kjo ishte një pjesë e programit, ose ishte një shaka. Por shpejt e kuptuan se çfarë po ndodhte, kështu që filluan të bërtitnin dhe të qeshin me zë të lartë.

Fjalimi i hoxhës nuk po dëgjohej nga zhurma e rëndë e prodhuar nga të pranishmit. Hoxha nuk i kushtoi vëmendje kësaj, por e vazhdoi fjalimin e tij. Derisa njëri prej të pranishmëve u ngrit dhe kërkoi nga mysafirët që të mbajnë qetësi dhe ta dëgjojnë se çka po u thotë njeriu. Dhe me të vërtetë, pas disa çasteve, filloi heshtja dhe qetësia. Nuk dëgjohej asgjë tjetër përveç zërit të hoxhës. Pasha Allahun, sapo filloi hoxha të flet, unë ndjeva forcën dhe bukurinë e fjalëve të tij. Ai i theksoi disa ajete të Librit të shenjtë, disa hadithe dhe disa tregime të njerëzve të cilët ishin penduar dhe kthyer Allahut.

Vallahi, kurrë nuk kisha dëgjuar diçka të tillë. E mbaj mend se hoxha ndër të tjera tha, se kemi jetuar kohë të gjatë në mëkate dhe mosbindje ndaj Allahut, dhe të gjitha momentet e kënaqësisë kanë ecur me kohën, por në librat e tyre kanë mbetur veprat e këqija, të cilat i kanë kryer dhe për ato vepra një ditë do të përgjigjen. Hoxha, gjithashtu, tha se do të vjen dita kur gjithçka do të shkatërrohet përveç Allahut, lavdëruar qoftë Ai. Ai tha se veprat e tyre, nëse vazhdojnë, do t’i shpijnë direkt në zjarr, nga i cili vetëm 1/70 (një e shtatëdhjeta) pjesë është zbritur në Tokë. Ai më pas kërkoi që të nxitojnë e të pendohen, para se të bëhet tepër vonë. Hoxha vazhdonte në fjalimin e tij, kurse unë kur e shikova audiencën, pashë se njerëzit po qanin. Pasha Allahun, të gjithë të pranishmit po qanin nga forca dhe pesha e fjalëve që hoxha i shqiptonte.

Pas fjalimit, hoxha doli, kurse pas tij, gati të gjithë ata që ishin në diskotekë, e në mesin e tyre edhe unë, e poashtu edhe pronari i lokalit. Të gjithë atë ditë u bëmë xhemat i xhamisë së vogël të lagjes.”

Burimi: Akos.bA

Përkthim: Miftar Ajdini