TV OPOJA
Aktuale

Hera e tretë, a do të anëtarësohet Kosova në INTERPOL?

Për të tetën herë radhazi Kosova po tenton të hyjë në organizatën më të madhe të policisë në botë – INTERPOL.
Për shtatë herë ajo dështoi për arsye të ndryshme.
Por, këtë vit, është hera e parë që Kosova ka të ndarë një buxhet të veçantë për të lobuar ekskluzivisht në lidhje me anëtarësimin në INTERPOL.
Ndarja e buxhetit
Qeveria e Kosovës këtë vit e ka parë të rrugës që të ndajë mbi 1 milion euro për të lobuar për në INTERPOL.
Ndarja e buxhetit nuk ishte praktikuar edhe herët e kaluara kur Kosova kishte tentuar të futet në këtë organizatë.
Por këtë vit, në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë së Kosovës me 19 tetor janë ndarë 1 milion e 200 mijë euro për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë – INTERPOL.
Më 20 nëntor të këtij viti do të votohet nëse Kosova do të anëtarësohet ose jo në organizatën INTERPOL.
Përpjekja e fundit e Kosovës për anëtarësimin në këtë organizatë kishte qenë në vitin 2017, kur dështoi përsëri.
“Gazeta Jeta në Kosovë” në një konference të kryeministrit Ramush Haradinaj së bashku me ministrin e ri të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tentoi të marrë përgjigje në lidhje me ndarjen e parave nga buxheti i Kosovës për INTERPOL.

Kryeministri nuk dha detaje se për çka do të përdoren ato mjete të ndara.
“Kur të raportojmë pse janë përdorë tani ju shpjegojmë, tani nuk kam informatë më shumë. Vjen dita raportohet. Është një praktikë që në disa raste edhe në bazë të ligjit kemi të drejtë në një konfidencialitet të caktuar dhe raportimet bëhen në mënyra të caktuara. Kjo është një praktikë e zakonshme e ndarjes së këtyre fondeve por raportimi bëhet pas dedikimit e jo tash”, tha Haradinaj.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka treguar se gjatë kohës sa drejtonte MPB-në nuk është ndarë buxhet i veçantë për të lobuar për në INTERPOL.
“Nuk ka pasur buxhet për INTERPOL për lobim ose për çfarëdo qoftë që lidhet rreth INTERPOL-it. Buxheti është i MPB dhe brenda saj ekziston zyra për bashkëpunim ndërkombëtar dhe për sundim të ligjit që është një surrogat i zyrës nacionale të INTERPOL”, ka thënë ai.
Ish-ministri Hyseni nuk e ka parë të arsyeshme ndarjen e buxhetit që Kosova të lobojë për në INTERPOL, pasi që sipas tij nuk ka nevojë të tillë.
“Por nuk ka pasur asnjëherë buxhet dhe nuk mendoj që ka nevojë një buxhet të tillë sepse MPB ka buxhet të mjaftueshëm që t’i kryejë punët e saj, edhe MPJ dhe Kuvendi ka buxhet dhe nëse duhet të bashkohen të gjithë për një qëllim pse duhet buxhet i veçantë”, tha Hyseni.

Tentimi i Kosovës për të hyrë në INTERPOL
Policia e shtetit që shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, nuk ka mundur të bëhet anëtare e familjes së madhe të policive botërore, edhe përkundër përpjekjeve gati tetëvjeçare.
Dy vite pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010, Kosova nisi procesin e anëtarësimin në asamblenë e përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë- INTERPOL.
Krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2010 patën aplikuar për herë të parë për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë.
Atë kohë INTERPOL pati kërkuar nga Kosova plotësimin e një pyetësori por që komunikimi i ishte ndërprerë ndërkohë dhe nuk kishte vazhduar më tej.
Në muajin prill të vitit 2015 ishte bërë kërkesa e dytë e institucioneve kosovare për anëtarësimin në INTERPOL.
Aplikacioni ishte nënshkruar nga ish- kryeministri Isa Mustafa ndërsa përcjellja e këtij aplikacioni ishte dorëzuar nga misioni i UNMIK-ut.
Krerët e Policisë së Kosovës patën synuar që viti 2015 të jetë ai vit që Kosova të kishte përmbushur të gjitha kriteret për t’u anëtarësuar në INTERPOL.
Në raportin e Qendrës Kosovare për Studimet e Sigurisë, raport ky i publikuar në vitin 2016, thuhet se Kosova ishte e gatshme për anëtarësim sa i përket aspektit teknik dhe operativ, por janë pengesat politike të cilat e sfidojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të sigurisë.
Më 2 gusht të vitit 2017, Qeveria pati miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.
Shtatori i vitit 2017 ishte muaji ku do të vendosej se a do të jetë Kosova në INTERPOL apo jo.
Aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale së bashku me shtete si Ishujt Solomon dhe Palestina pati pasur rrezik për dështim në anëtarësim.
Më 21 shtator 2017, 5 ditë para se të vendosej për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dalë me një deklaratë ku thoshte se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në INTERPOL.
Ai arsyetoi votat jo të mjaftueshme për anëtarësim në këtë organizatë dhe pati marrë vendim që të shtyhej votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL deri në takimin e ardhshëm të kësaj organizate.
2017 ishte viti ku Kosova prapë dështoi që të anëtarësohej në organizatën më të madhe INTERPOL.

Sfidat dhe përfitimet e Kosovës nga INTERPOL
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Qerim Qerimi tha se sfidë qendrore e anëtarësisë së Kosovës në INTERPOL mbetet sigurimi i shumicës së kërkuar të votave.
“Në bazë të Kushtetutës së INTERPOL-it, për qëllime të anëtarësisë së një shteti kandidat, kërkohet një shumicë prej dy të tretave të votave të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it. Asambleja paraqet autoritetin më të lartë të organizatës, që aktualisht ka 192 shtete anëtare. Dy e treta (2/3) e votave llogaritet jo nga numri i përgjithshëm i anëtarëve sa aktualisht ka organizata (pra, 192 shtete anëtare), por nga numri i anëtarëve që votojnë”, tha ai duke shtuar se kërkohet që votat “pro” të përfaqësojnë 2/3 e votave në relacion me votat negative.
“Sigurisht, institucionet që kanë përgjegjësi në fushën e bashkëpunimit me jashtë do të duhej të posedonin një vizion më të saktë dhe të plotë për sa u përket e pakta pritjeve më të përafërta të qëndrimeve të shteteve individuale në relacion me kandidaturën e Kosovës”, tha Qerimi për “Gazetën Jeta në Kosovë”.
Ai po ashtu shtoi se anëtarësia e Kosovës në INTERPOL sjell përfitime disa drejtimëshe.
“Në radhë të parë, Kosova është në një situatë kërkimi konstant të fuqizimit të pranisë së saj në arenat e jashtme. Nuk ka diskutim që anëtarësia e Kosovës në këtë organizatë i jep asaj mundësinë që të artikulojë ‘zërin’ dhe qëndrimet e saj në forumet e organizataës, si dhe të përfitojë nga bashkëpunimi i shumëanshëm që rrjedh prej një strukture të gjerë e autoritative në fushën e policisë, të bashkëpunimit penal dhe të parandalimit e luftimit të krimit”, tha Qerimi në një prononcim për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Çka është INTERPOL-i?
Në mesin e të gjitha organizatave ndërkombëtare të policisë, organizata më e madhe dhe më e rëndësishme është INTERPOL.
Organet e Interpolit janë: Asambleja e Përgjithshme, Komiteti Ekzekutiv, Sekretariati i Përgjithshëm, Byrotë Qendrore Nacionale, Këshilltarët.
Asambleja e Përgjithshme është organi më i lartë i kësaj organizate.
Ky organ është i përbërë nga delegatët e shteteve anëtare. Seanca e Kuvendit të Përgjithshëm mbahet njëherë në vit zakonisht në kontinent tjetër, por në rast nevoje mund të mbahen edhe seanca te jashtëzakonshme.

Misioni parësor i saj është ndalimi i aktiviteteve kriminale ndërkombëtare siç janë: Korrupsioni, krimi i organizuar, veprat e armëve të zjarrit, krimi farmaceutik, sigurinë publike dhe terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimi i mallrave të paligjshëm dhe falsifikimi etj.
Roli kryesor i Interpolit është të funksionojë si një qendër informacioni, duke ruajtur bazën e të dhënave kriminale ndërkombëtare.
Ekzistojnë tetë lloje njoftimesh, shtatë prej të cilave janë të ngjyrosura me ngjyra nga funksioni i tyre:
Njoftimi i kuq: Të kërkojë vendndodhjen / arrestimin e një personi të kërkuar nga një juridiksion gjyqësor ose një gjykatë ndërkombëtare me qëllim të ekstradimit të tij / saj.
Njoftimi Blu: Për të gjetur, identifikuar ose marrë informacion mbi një person me interes në një hetim penal.
Njoftimi i Gjelbër: Për të paralajmëruar për aktivitetet kriminale të një personi nëse ai person konsiderohet të jetë një kërcënim i mundshëm për sigurinë publike.

Njoftimi i verdhë: Për të gjetur një person të zhdukur ose për të identifikuar një person që nuk mund të identifikojë veten.
Njoftimi i zi: Për të kërkuar informacione për trupat e paidentifikuar.
Njoftimi portokalli: Për të paralajmëruar për një ngjarje, një person, një objekt ose një proces që paraqet një kërcënim të afërt dhe rrezik për personat ose pronën.
Njoftim i Purpurtë: Për të siguruar informacion mbi procedurat, objektet, pajisjet ose vendet e fshehura të përdorura nga kriminelët.
Njoftim i Posaçëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara- Për të informuar anëtarët e Interpolit se një individ apo një subjekt i nënshtrohet sanksioneve të OKB-së.
Për t’u pranuar apo anëtarësuar në Interpol, Kosovës i duhen votat e dy të tretave të shteteve të pranishme që votojnë për anëtarësimin e saj.

Lajme të përafërta

Memli Krasniqi falënderon prizrenasit që rikthyen besimin në PDK

TV OPOJA
November 22, 2021

Emergjenca për tre ditë 579 pacientë

TV OPOJA
December 10, 2018

Dragash:Tenton ta kalojë ilegalisht kufirin Shqipëri-Kosovë me 50 thasë kokrra dëllinje

TV OPOJA
December 11, 2020
Exit mobile version