Në prag të pesëvjetorit të partisë NISMA Socialdemokrate në Dragash, kryetari i degës së kësaj partie Fatmir Halili, ka përshkruar disa nga aktivitetet e kësaj partie në komunën e Dragashit.
Në mënyrë të veçantë, Halili thekson problemin e meritokracisë dhe barazisë së mundësive, si çelës i zgjidhjes së zingjirit të gjatë të problemeve të shoqërisë.
Veç tjerash, Halili ka përmendur
punësimet nepotike, arsimimin e dobët, gjendjen e papunësisë dhe mundësitë për zhvillimin lokal, shërbimet e dobëta shëndetësore, blegtorinë dhe turizmin si alternativa për zhvillim të Dragashit, probleme të cilat kanë qenë në fokus të trajtimit të kësaj partie.
Ky është postimi i plotë i Halilit në facebook:
Në prag të pesëvjetorit të NISMA-s në Dragash!
Pavarësisht që NISMA sot në Dragash ndodhet në një rrugëtim të mirë, megjithatë, përderisa nuk ka ndryshime në jetën e qytetarëve të kësaj komune, as NE nuk mund të jemi të kënaqur, dhe të ndjehemi mirë!
Partitë janë organizata që idetë e tyre për qeverisje dhe zhvillim të vendit, tentojnë t’i jetësojnë përmes pjesëmarrjes në qeverisje. Ajo çka dua të them në këtë rast, këto njëzet vite partitë politike në përgjithësi, e në veçanti ato që kanë qeverisur me vendin, nuk janë marrë fare me idenë për zhvillim. Politikat në pushtetin lokal në veçanti, kanë qenë ekskluzivisht në shërbim të grupacioneve në pushtet.
Këtë trend të zhvillimit politikë dhe shoqëror, që për dy dekada e ka gjunjëzuar qytetarin, duke humbur shpresën për jetë të dinjitetshme në këtë shtet, dikush duhet ndryshuar!
Këtë ndryshim mund ta bëjmë NE, përmes pjesëmarrjes aktive në jetën shoqërore dhe politike. Secili i ri dhe e re që është shkolluar mirëfilli, nuk duhet heshtur ndaj proceseve që direkt apo indirekt kanë impakte në jetën tonë.
Përkundër sfidave jo të lehta, përkundër asaj që dikush mund t’u konsideroj edhe armiq, përkundër hakmarrjes për punësim, dhe shumëçka tjetër, obligimi moral ndaj fëmijëve tanë dhe shumë gjeneratave që do të vijnë pas nesh, është më i madh se këto sfida dhe sakrifica personale!
Gjatë këtyre pesë viteve të jetës politike në Dragash, kemi atakuar problemet më jetike të qytetarëve të kësaj komune. Jemi munduar të ofrojmë alternativë dhe jo të jemi vetëm kritik ndaj pushtetit. Kemi paraqitur një qasje ndryshe, për të krijuar një konkurencë politike të ideve dhe projekteve, për të kthyer besimin qytetar te politika, për të sjellë një qeverisje normale në pushtetin komunal të Dragashit, në zgjedhjet e ardhshëme lokale.
Punësimet nepotike, arsimimi i dobët, gjendja e papunësisë dhe mundësitë për zhvillimin lokal, shërbimet e dobëta shëndetësore, blegtoria dhe turizmi si alternativa për zhvillim të Dragashit, si dhe çështje të tjera të rëndësishme, kanë qenë në fokus të trajtimit të NISMAS Socialdemokrate në Dragash.
Vazhdojmë të punojmë në fuqizimin e idesë për barazi të mundësive dhe për ndërtimin e fuqizimin e parimit të meritokracisë. Këto parime janë çelës për të ardhmën e shtetit dhe shoqërisë tonë, dhe zgjidhjen e zingjirit të gjatë të problemeve. Nëse këto parime nuk arrijmë t’i fuqizojmë e ardhmja e shtetit dhe shoqërisë tonë do të jetë e zymtë.
Shoqëria jonë është lodhur jo vetëm nga gjendja e rënduar ekonomike, papunësia dhe varfëria, por nga mendësia politike e pa ndryshuar për dy dekada, që nuk ka ofruar alternativë për ndryshimin e kësaj gjendje. Pasoj e kësaj është edhe degradimi moral që ka kapluar shoqërinë tonë, dhe humbja e shpresës për të ardhmën më të mirë të këtij vendi.
Përfundimisht, e ardhmja e Kosovës varet nga NE, përveç obligimit moral, është domosdoshmëri të punojmë në ndërtimin e shtetit dhe kthimin e shpresës tek njerëzit, largimi nga Kosova nuk është zgjidhje, ajo, para së gjithash dëmton personin dhe pastaj edhe shtetin.