TV OPOJA
Aktuale

Gjashtë persona të dënuar me burg për vjedhje të rrymës në Kosovë

Humbjet totale të energjisë elektrike janë rreth 24 përqind, ku bëjnë pjesë humbjet teknike dhe keqpërdorimet, apo vjedhjet e energjisë elektrike.
Kjo përqindje e vjedhjeve të energjisë, po konsiderohet e pa pranueshme për KEDS-in. Ndërsa, zyrtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se prej 7184 lëndëve të dërguara nga KEDS-i, në gjykata janë zgjidhur 2039 lëndë, 6 prej tyre me dënim me burg dhe 259 me gjobë.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë se ky fenomen është duke e dëmtuar furnizimin me energji elektrike, rrezikon furnizimin me energji elektrike dhe ka shërbime më pak kualitative.
“E rëndon shumë, sidomos gjatë dimrit për arsye se ata që po e keqpërdorin energjinë elektrike po e bëjnë në mënyrë shumë të vrazhdë, d.t.th nuk kursejnë aspak dhe si rrjedhojë e kësaj vijmë deri te rrezikimi aseteve, skuqja e telave apo e trafove apo mbinxehja e tyre, rrezikimi i të gjitha aseteve energjetike. Pastaj, kur mbingarkohet rrjeti dhe kur mbingarkohen asetet distribuive pastaj vijmë edhe deri te rënia eventuale e tensionit dhe shërbime më pak kualitative dhe ma pak të sigurta. D.t.th., nëse dikush, po i drejtohem tash konsumatorëve, në lagjen e tyre e vjedh energjinë elektrike, përkatësisht e keq shfrytëzon atë në mënyrë më të vrazhdë, atëherë duhet ta dinë se ai është duke i dëmtuar edhe ata sepse automatikisht iu sjell telashe, d.t.th ka më pak siguri në furnizim, ka shërbime më pak kualitative sepse bjen tensioni”, thekson Buzhala.

Procedurat për ata që keqpërdorin rrymën elektrike, zëdhënësi i KEDS-it thotë se nëse evidentohet që energjia elektrike është keqpërdorur, lënda menjëherë procedohet në gjykatën kompetente.
Pastaj, sipas tij, ka edhe dënime nga KEDS në mënyrë automatike, për konsumatorët e amvisërisë është 6 muaj të shpenzimit mesatar, për biznese është 12 muaj.
Numri i përgjithshëm i lëndëve të paraqitura nga KEDS për konsumatorët që e keqpërdorin energjinë elektrike është rreth 20 mijë, ku sipas Buzhalës një pjesë e tyre është zgjidhur dhe pjesa dërrmuese e tyre është në favor të KEDS-it.
“Po, sigurisht që lëndët janë me mijëra. Ajo shifër lëviz nga dita në ditë, mirëpo brenda vitit shkojnë diku 5 mijë lëndë në gjykata. Një pjesë e konsiderueshme e tyre as nuk merren parasysh brenda vitit. Pra, po flasim për 80% të lëndëve që presin, rrinë aty. Kjo nuk është zgjidhje e situatës, kjo vetëm mund ta rëndojë, do të thotë ne po punojmë vazhdimisht në të gjitha drejtimet, në format më të sofistikuara, mirëpo fajtorët duhet ta marrin dënimin e merituar edhe nga gjykata, pos procedurave që i ceka më herët që i ndërmarrim ne, ata duhet dënuar sepse vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale dhe duhet të trajtohet sikur çdo vepër tjetër”, thekson ai.

Buzhala thotë se në luftimin e kësaj dukurie duhet të involvohet secili qytetar i Kosovës, sepse është problematikë shumë e madhe.
Ndërsa, drejtori i departamentit të statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Besnik Ramosaj deklaron për Kp se lëndët që kanë të bëjnë me KEDS-in, më 1 janar 2018, 5470 lëndë kanë qenë të trashëguara, ndërsa prej janarit janë paraqitur edhe 1714 lëndë të reja, që sipas tij, gjithsejtë në punë kanë qenë 7184 lëndë, që nënkupton edhe lëndë të vjetra.
“Gjatë këtij gjashtë mujori janë zgjidhur 2039 lëndë prej 7184 lëndëve në total, që nënkupton se është zvogëluar numri i lëndëve të grumbulluara. Ndërsa kanë mbetur për t’u shqyrtuar edhe 5144 lëndë”, thekson Ramosaj, duke shtuar se mesatarja e lëndëve të pranuara nga KEDS llogaritet të jetë diku rreth 5 mijë lëndë në vit.

Edhe pse KGJK ende nuk ka të dhëna për periudhën pas qershorit, Ramosaj thekson se prej këtyre lëndëve të zgjidhura, 6 raste kanë përfunduar me burg, 259 me gjobë, me kusht 1019, 56 janë dënime të tjera, aktgjykim lirues janë 15. Ndërsa, me agktgjykim refuzues 111, 14 raste janë parashkruar – relativ. Edhe 150 raste absolut(mungesa e përditshmërisë së të dhënave) dhe 410 lëndë janë zgjidhur në mënyrë tjetër e zgjidhjes.
Duke marrë parasysh që furnizimi me energji elektrike është i rëndësisë jetike për një vend, Ramosaj thotë se: “Nuk është e përcaktuar me ligj me i zgjidhur këto lëndë me prioritet, por vetëm në mënyrë kronologjike”.
Ai deklaron se në gjashtë mujorin e këtij viti nga KEDS janë paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës 176 lëndë, 50 lëndë në Drenas, në Prizren 230 lëndë, 140 lëndë në Mitrovicë, 122 në Gjakovë, në Pejë 9 lëndë, 117 në Ferizaj, Suharekë 118 lëndë, 144 në Malishevë, 110 në Rahovec, në Istog 6 lëndë, në Klinë vetëm 1 lëndë. Në Kaçanik 20 lëndë. 111 në Skenderaj, Podujevë 70 lëndë. Daçan 3 dhe në Shtërpcë 2.

Lajme të përafërta

Kompania turistike Aroma Reisen do të vazhdojë udhëtimet për në shtetin Austriak.

TV OPOJA
March 14, 2020

Abelard Tahiri “S’po kemi kujt t’i bëjmë opozitë”

TV OPOJA
April 24, 2021

Ftesë për dhurim të gjakut në Hotel Meka Dragash

TV OPOJA
March 29, 2019
Exit mobile version