TV OPOJA
Opinione

Miftar Ajdini:Filozofia e biznesit tek Japonezet!

Popujt aziatikë, veçanërisht japonezet karakterizohen nga forca e vullnetit, profesionalizmi, përkushtimi dhe disiplina në punë. Edukata e punës tek ata është një kulturë e posaçme dhe filozofi e thellë të cilat e zbukurojnë punëtorin japonez, nga njëra anë, dhe institucionet dhe kompanitë nga ana tjetër. Numri i orëve të punës jashtë orarit në Japoni arrin 80 orë në muaj, aty përfshihet ¼ e punëtorëve të Japonisë. Orët e punës jashtë orarit shkaktojnë më shumë se 2.000 vdekje për çdo vit.

Në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, i riu nga Koreja e Jugut, i quajtur Jeon Tae-il e dogji veten para një fabrike të tekstilit, duke protestuar ndaj kushteve të mjerueshme në të cilat jetojnë punëtorët dhe kushtet e vështira në të cilat punojnë. I riu, i cili nuk i kishte kaluar të 22-at, kishte bërtitur: “Ne jemi njerëz, nuk jemi makina!” (“we are human not machines”). Ishte kjo në kuadër të revolucioneve të para të punëtorëve që panë vendet aziatike. Ai revolucion nuk ishte kundër përtacisë, pasivitetit dhe produktivitetit të dobët të punëtorit, por ishte kundër kushteve të vështira që përjetonte punëtori dhe mungesës së kujdesit të nevojshëm dhe të domosdoshëm.

Filozofia e biznesit tek japonezët bazohet në parimin se puna është pjesë e besimit të tyre fetar dhe mësim i mësuesit dhe frymëzuesit të tyre të parë “Buda”. Për këtë shkak, punëtori japonez ndjehet shumë rehat dhe i dhënë pas punës në formë histerike. Kjo situatë ka krijuar një hendek të madh midis jetës në punë dhe jetës private të japonezëve dhe ka ndikuar në prodhim. Kjo ka bërë që qeveria japoneze ta miratojë një politikë të re të quajtur “reforma e qasjes ndaj punës”, që synon të përballet me fenomenin “Karotche” (vdekje nga puna e madhe).

Marrëdhënia ndërmjet nëpunësit dhe kompanisë
Marrëdhënia ndërmjet nëpunësit japonez dhe kompanisë është marrëdhënie e thellë, që i shtrinë rrënjët e saj për ta përfshirë kujdesin e madh ndaj punëtorit dhe sigurimin e nevojave të domosdoshme të jetës. Punëtori është guri i themelit për suksesin e kompanisë dhe zhvillimin e saj, ngjashëm me marrëdhëniet shpirtërore.
Kompanitë japoneze kanë shpikur mënyra të shumta për t’i mbrojtur punëtorët e tyre në kohëra të krizave, ku këto kompani i dërgojnë punëtorët e tyre në shumë programe të trajnimit dhe ua sigurojnë atyre të gjitha shpërblimet. Këtë e bëjnë në shkëmbim të përkushtimit dhe besnikërisë së punëtorëve ndaj organizatës së tyre, ku këta njerëz suksesin e institucionit e konsiderojnë si simbol të nderit për ta dhe qëllim prej qëllimeve fisnike që aspirojnë t’i arrijnë. Punëtorët u nënshtrohen trajnimeve dhe programeve të trajnimit periodikisht për t’i zhvilluar aftësitë e tyre dhe për ta rritur produktivitetin e tyre.

Marrëdhëniet mes kompanisë dhe punëtorëve të saj zhvillohen për t’i mbuluar të gjitha fushat e trajnimit dhe kujdesit, ku shumica e institucioneve japoneze kujdesen që të sigurojnë shërbime të veçanta për shëndetin mendor. Kjo njësi ofron konsultime të rregullta në fushën e edukimit psikologjik për personelin e institucioneve, me qëllim që nëpunësit të mbeten të aftë për t’i bartur përgjegjësitë e tyre ndaj institucionit, pjesë e të cilit janë ata.
Në këmbim të shërbimeve të kompanisë dhe përgjegjësive të saj, punëtori në Japoni karakterizohet me një sërë karakteristikash dhe cilësish, të cilat i janë mbjellë që nga fëmijëria, që e shenjtërojnë punën dhe e bëjnë atë pjesë e besimit të tij. Si karakteristikë e parë është dashuria e punëtorit për punën e tij. Kjo është nga arsyet e suksesit të punëtorit dhe institucionit, krahas sinqeritetit, profesionalizmit, ndershmërisë dhe disiplinës për t’i respektuar ligjet e institucionit dhe për t’i realizuar objektivat e tij. Punëtori japonez mendon se suksesi i institucionit në arritjen e fitimeve është edhe sukses i tij. Kjo filozofi në biznes dhe kjo kulturë me të cilën zbukurohet punëtori japonez, është faktori që i karakterizon produktet japoneze dhe e bën suksesin e kompanive japoneze të pakrahasueshëm dhe të famshëm në të gjithë globin.

Sistemi i karrierës dhe arti i menaxhimit të krizave
Në sistemin japonez të punësimit, kur kompanitë përballen me kriza financiare, ato nuk i kthehen dëbimit të punëtorëve, zvogëlimit të pagave të tyre, apo masave të tjera shtrënguese të imponuara në atë situatë, por punohet për përballje me krizën duke krijuar alternativa të reja funksionale brenda kompanive. Kjo procedurë është pjesë e asaj që njihet si rezervë taktike për tu përballur me krizën, ku bëhet analiza e gjendjes së kompanisë, identifikohen dobësitë dhe mangësitë, si dhe gjenden zgjidhje të gatshme për t’u zbatuar në kohën e krizës. Pasi që kompanitë bëjnë baste për forcën dhe zellin e punëtorëve të tyre për të fituar një rol në treg, ato shpesh shpikin mënyra të shumta për t’i mbajtur punëtorët e tyre në kohë krizash.

Sistemi i punës në Japoni është rrënjësisht i ndryshëm nga ai që është në Evropë dhe Amerikë.
Sistemi japonez i punësimit siguron një moshë të caktuar të punësimit për punëtorët dhe u jep atyre privilegje të veçanta në kohë krize, pasi që kompanitë japoneze i shmangen sistemit të ashtuquajtur “Dole System”. Për shembull, në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, kur kompanitë përballen me presione financiare, ato shpesh mbështeten në zvogëlimin e shpenzimeve. Aktualisht, këto institucione e përdorin zvogëlimin e njohur si “Downsizing”, ku kompanitë e zvogëlojnë numrin e punëtorëve, duke i regjistruar ata në listën e të papunëve, për të përfituar nga subvencioni qeveritar për të papunët. Subvencioni qeveritar për të papunët është shumë i lartë, ku nganjëherë arrin deri në 90% të pagës së fundit që e merrte punëtori, kështu që pushimet nga puna çojnë në më shumë shpenzime qeveritare për të papunët “Dole Payment”. Kjo mund të çojë deri te çrregullimi dhe dobësimi i sistemit të punësimit, ku punëtori do të pushojë dhe do të merr 90% të rrogës së tij të mëparshme pa asnjë kompensim. Për këtë arsye, punëtori do të parapëlqejë të qëndrojë pa punë, pastaj sistemi “Dole Payment”, nuk i inkurajon të papunët për të kërkuar punë, as nuk i inkurajon investitorët për të hapur projekte të reja. Kjo politikë përbën një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik dhe produktivitetin.

Sistemi “Dole Payment” mbështetet në të hyrat e qeverisë. Në rastin kur ekonomia punon mirë, të hyrat janë të larta kurse subvencionet për të papunët janë më të ulëta, për shkak të disponimit të mundësive të punësimit. Mirëpo, kur ekonomia bie, rezultati është tronditës pasiqë edhe kontributet qeveritare bien, e me të rritet përqindja e subvencionit qeveritar për të papunët.
Qeveria do të detyrohet të pompojë më shumë për vazhdimin e ekonomisë. Kësisoj, “Dole System” nuk është politikë e mirë.
Japonezët ia arritën të hartojnë politika të punës në mënyrë efektive dhe të veçantë duke marrë parasysh kulturën dhe traditat e shoqërisë. Filozofia e tyre ngritët mbi bazën se puna është e shenjtë dhe pjesë e kulturës së tyre shpirtërore. Prandaj kryerja e punës me seriozitet, sinqeritet dhe përkushtim është çështje esenciale dhe e pashmangshme. Kështu, me këtë zell dhe përpjekje ata qenë në gjendje të arrijnë rritje dhe prosperitet ekonomik dhe Japonia u bë një nga pionierët e ekonomisë globale.

https://islamonline.net/23469
Origjinali:
فلسفة العمل عند اليابانيين

Përkthim nga arabishtja: Miftar Ajdini

Lajme të përafërta

Vetëdija shoqërore faktor i rëndësishëm në zhvillimin e shtetit!

TV OPOJA
February 11, 2019

Rezultatet e testit PISA dolen ashtu edhe sikurse shumica nga NE i kemi pritur

TV OPOJA
December 3, 2019

Para se me ik prej këtij vendi…

TV OPOJA
April 13, 2019
Exit mobile version