TV OPOJA
Islame

Fetva për lejimin e marrjes së kredisë me kamatë për nevoja të domosdoshme të jetesës

Në bazë të nenit 10 dhe nenit 33, të Rregullores së punës së Këshillit të Muftijëve, Këshilli i Muftijëve të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, në seancën e trembëdhjetë të rregullt, të mbajtur në Sarajevë, më 27 muharrem 1439 h., përkatësisht, më 17 tetor 2017, duke shqyrtuat kërkesat e shumë anëtarëve dhe pjesëtarëve të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe shumë lexuesve të “Preporodit”, mbi atë se, a është e lejuar kredia me kamatë për rregullimin e çështjes së banimit, shkollimit të fëmijëve, si dhe për nevojat e tjera të domosdoshme, sjell këtë

F E T V A
mbi lejimin e marrjes së kredisë me kamatë
për plotësimin e nevojave të domosdoshme të jetesës

Është e njohur në përgjithësi se Islami shprehimisht e ndalon kamatën. Në Kuran thuhet: “Mirëpo, Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatën e ka ndaluar…” (el-Bekare, 275). Kjo është përcaktuar për shkak se njerëzit e pasur me kamatë i shfrytëzojnë të dobëtit. Me kamatë nënvlerësohet vlera e punës njerëzore dhe është e bazuar në një perceptim të rremë, se paraja është qëllim në vetvete, dhe jo mjet.

Juristët klasikë islamë kanë konstatuar se kushdo që punon me kamatë ka kryer “kufru-n-nimeti” (akt të mosmirënjohjes për mirësitë e Allahut, që është mëkat i madh) dhe padrejtësi (zullum), sepse paraja është mjet që shërben për t’i plotësuar disa nevoja të caktuara, dhe nuk është qëllim në vetvete. Në qoftë se paraja është mjet për tregti, atëherë ajo bëhet qëllim në vetvete, por ky nuk është qëllimi i Ligjvënësit. Prandaj, i vetmi kuptim i shitjes së parave për para është akumulimi i saj. Muslimanët janë të detyruar t’i ndjekin rregullat islame dhe të përpiqen t’i promovojnë vlerat universale islame mbi të cilat duhet të bazohet rregullimi i marrëdhënieve socio-ekonomike mes njerëzve, e të cilat e garantojnë drejtësinë, solidaritetin njerëzor dhe shmangien e konflikteve dhe luftërave.

Dijetarët muslimanë në shekullin e kaluar kanë dhënë përgjigje të argumentuara për çështjet bashkëkohore të fikhut që kanë të bëjnë me bankat dhe biznesin e tyre me kamatë. Njëra prej atyre pyetjeve është edhe çështja e kursimit në banka dhe marrja e kamatës që realizohet në bazë të tij. Pyetjen e kanë shtruar sipërmarrësit, të cilët kishin nevoja reale për ruajtjen e parave në vend të sigurt. Përgjigjja e këtyre dijetarëve është e njohur, gjithashtu edhe arsyetimi i tyre ligjor, sipas të cilit përfitimi i realizuar nga kursimi me kamatë duhet të shpenzohet për qëllime bamirësie, dhe kurrsesi për nevoja personale.

Ky qëndrim është argumentuar me rregullat e njohura të fikhut: “Domosdoshmëria e ndryshon ligjin” (الضرورات تبيح المحظورات) (Ed-darurat tubīḥul-maḥdhūrāt) dhe: “Nevoja e ka fuqinë të domosdoshmërisë, si ajo publike ashtu edhe private” (الحاجة تنزل منزلة الضرورة عامة كانت أو خاصة ) (El-Ḥāxhxhetu tunezzel menziled-ḍarūreti ʻāmmeten kānet ew ḥāṣṣaten). Me fjalë të tjera, në situata të domosdoshmërisë dhe nevojës, është e lejuar të kursehet paraja në bankë, e cila punon me kamatë, duke theksuar se ndalimi i kamatës mbetet në fuqi.

Përveç njerëzve të biznesit, të cilët kanë nevojë për t’i ruajtur paratë në një vend të sigurt, shumë më i madh është numri i njerëzve që kanë nevojë për zgjidhje të çështjes së banimit dhe nevojave të tjera të domosdoshme. Duke qenë se rregullat e lartpërmendura të sheriatit dhe fikhut mbështeten në tekste të shumta legjislative të Kuranit dhe Hadithit, atëherë edhe fuqia e tyre sheriatike apo juridike është më e madhe dhe më e rëndësishme. Këtë qëndrim e mbështesin edhe rregullat e tjera të sheriatit, të cilat flasin për çështjen e vështirësisë dhe dëmit: “Dëmi duhet të evitohet” (الضرر يزال) (Ed-Ḍareru juzālu), “Vështirësia kërkon lehtësim” (المشقة تجلب التيسير) (El-Meshekkatu texhlibut-tejsīr) dhe “Vështirësia eliminohet”  (الحرج مدفوع) (El-Ḥarexhu medfūʻ).

-Duke pasur parasysh të gjitha këto që u theksuan më lart, duke ndjekur parimin kuranor: “Ai, ju ka zgjedhë dhe nuk ju ka bërë juve në fé kurrfarë vështirësie” (el-Haxhxh, 78), dhe parimin: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (el -Bekare, 185),

-duke ndjekur udhëzimet e Pejgamberit (savs), i cili ka thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni!” (Muttefekun alaih) dhe

-duke iu referuar rregullave të lartpërmendura të sheriatit dhe fikhut,

Këshilli i Muftijëve të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, miraton qëndrimin e fikhut me të cilin lejohet shfrytëzimi i kreditit me kamatë në situatat e domosdoshmërisë dhe nevojave reale të jetës, duke theksuar se muslimanët janë të detyruar të përmbahen brenda kuadrit të domosdoshmërisë dhe nevojave reale të jetës, si dhe ta përdorin këtë lehtësim në atë që është hallall, e lejuar dhe e dobishme. Këshilli i Muftijëve konfirmon se me këtë fetva nuk lejohet biznesi me kamatë (dhënia e kredisë me kamatë dhe interes), por vetëm marrje e kredisë me kamatë në rastet e domosdoshme.
Nëse ekziston mundësia që problemi i financimit të këtyre nevojave të zgjidhet në bazë të biznesit pa kamatë, atëherë nuk ka justifikim marrja e kredisë pa kamatë, sepse në këtë rast nuk ekziston domosdoshmëria.
Dhe Allahu e di më së miri!

 

Husein ef. Kavazović , Reisu-l-ulema
Burimi: Islamksazajednica.ba
Përkthim: Miftar Ajdini

Lajme të përafërta

Sot u manifestua programi i duas së Hatmës në Bresanë (Foto)

TV OPOJA
April 22, 2019

Vendimi i Gjykatës Evropian nëse dikush tenton t’i thotë profetit Muhamed “pedofil”

TV OPOJA
November 2, 2018

Manifestohet programi i duas së Hatmës në Bresanë (Video, Foto)

TV OPOJA
May 11, 2023
Exit mobile version