Pjesa dërmuese e atyre që janë pjesë e politikës, dhe atë, që nga paslufta, kanë hyrë në politikë pa e njohur fare politikën dhe funksionimin e shtetit. Shumë prej tyre kanë arritur në majet e vendimëmarrjes pa e ditur se si bëhet vendimëmarrja. Për më tepër, ky trend i zhvillimit në politikën dhe vendimëmarrjen e vendit tonë vazhdonë të jetë prezentë edhe sot.
Politika kërkon njerëz që e njohin politikën, dhe jo njerëz që bëhen pjesë e politikës, dhe për pasojë pjesë e vendimëmarrjes, pa e njohur aspak politikën dhe vendimëmarrjen.
Politika nuk nënkupton mashtrim, gënjeshtër apo prapaskena idiotike, siç kemi pasur rastin të shohim këto dy dekada në vendin tonë. Këto mënyra të sjelljeve ‘politike’, janë rezultat i njerëzve të pa dijshëm që kanë zhvilluar politikën gjatë këtyre dy dekadave.
Politika, para së gjithash, paraqet veprimtarinë shoqërore të grupeve të organizuara të njerëzve për të marrë pushtetin, dhe për të ushtruar atë, për zgjidhjen e problemeve të përgjithëshme të shoqërisë, dhe jo siç është konsideruar këto dy dekada tek ne, dhe po vazhdon të konsiderohet, si një veprimtari për përfitime individuale, familjare dhe shoqërore. Natyrisht, kjo nuk është për tu quditur, sepse politikbërja gjatë kësaj periudhe është determinuar nga grupe analfabetësh, që pushtetin e kanë synuar vetëm për përfitime personale dhe të rrethit të ngusht partiak.
Tranzicioni i këtyre dy dekadave të pasluftës, të cilit ende nuk po i shihet fundi, është pasojë pikërisht e mosdijes politike të politikbërësve. Ata politikbërës, që nuk e njohin konceptin dhe funksionimin e shtetit, dhe që synim të vetëm kanë pushtetin për interesat e tyre meskine, politikëbërja e tyre, e kthen shtetin në një shtet jofunksionl dhe të dështuar, duke krijuar jetë të padurueshëme për qytetarët e atij vendi, siç po ndodh sot tek ne.
Përveç pa dijes së tyre, politikëbërës të tillë, e kanë qoroditur skenën politike, kanë bërë të humbet në tërësi etika politike dhe të dominoj josinqeriteti dhe mashtrimi, duke humbur edhe besimi qytetar tek politika dhe politikbërësit.
Pa dyshim, politikëbërës të tillë, të pa dijshëm dhe të pamoralshëm, janë në gjendje të mbajnë mbi supe petkun e papërgjegjësisë, mashtrimit dhe josinqeritetit, andaj, si mund tu besoj shoqëria këtyre politikanëve se nuk e vjedhin paranë publike, dhe nuk i keqpërdorin pozitat e tyre shtetërore!
Prandaj, partitë politike kosovare në përgjithësi, reformat e para partiak, duhet t’i fillojnë me largimin e figurave të stërvjetruara dhe pa asnjë bagazh të vetëm akademik. Vendin e tyre, duhet ta zënë njerëz të rinjë, kuadro të shkolluar mirë, njerëz të dëshmuar në dije dhe shkencë, njerëz që vërtet kanë vlera.
Njerëz të shkolluar mirë dhe me vlera të larta moral, vështirë mbajnë mbi supet e tyre petkun e mashtrimit, papërgjegjësis dhe josinqeritetit. Të tillë politikëbërës, mund të kthejnë politikën dhe qeverisjen në të mirë të qytetarëve, dhe të krijojnë frymën e konkurencës së ideve dhe projekteve për zhvillimin e vendit.