TV OPOJA
Aktualitet

Dy zyrtarët e ‘Eko-Regjion’-it në Dragash të akuzuar për keqpërdorim të detyrës nuk e pranojnë fajësinë

Menaxheri i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në Dragash, Salih Shala dhe shefi i kontrollës të kësaj kompanie, Nehat Basha, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk e kanë pranuar fajësinë, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit.

Shala dhe Basha në këtë rast po akuzohen se jashtë procedurave të prokurimit kanë bërë shtyrjen e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.

Pos kësaj, Basha akuzohet po ashtu se pa shpallur konkurs ka lidhur edhe kontrata pune në kundërshtim me ligjin.

Gjatë së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Metush Biraj të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë.

“Jo, nuk e pranoj fajësinë”- tha i akuzuari Salih Shala.

Njëjtë si Shala u deklarua edhe shefi i kontrollës të KRM “Eko –Regjioni”, Nehat Basha.

Gjykatësja e rastit, Teuta Krusha pas kësaj i njoftoi palët se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të aktakuzës.

Ndërkaq, gjykata obligoi prokurorinë që në këtë çështje t’i pajisë avokatët e të akuzuarve me të gjitha provat e lëndës.

Aktakuza Salin Shalën dhe Nehat Bashën po i ngarkon se si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin nuk i përmbushin detyrat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit.

Aktakuza thotë se i pandehuri Salih Shala në cilësinë e menaxherit të KRM “Eko-Regjioni” në Prizren – Njësia në Dragash më datë 27 gusht 2019, i bën kërkesë të akuzuarit Nehat Basha që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyerja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.

Sipas prokurorisë, ky i fundit kërkesën e miraton më datë 28 gusht 2021, me ç’rast kompanisë K.R.M. “Eko-Regjioni” në Prizren i shkakton dëm material prej 2,700 Euro.

Ndërkaq, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Nehat Basha akuzohet se nga data 1 janar 2019 e deri më 1 gusht 2020, në kundërshtim me Ligjin e Punës, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të caktuar, për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike.

Në këtë mënyrë të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar./Kallxo.com

Lajme të përafërta

Laurat Krasniqi tregon arsyet se përse nuk fitoi Vetëvendosje në Dragash

TV OPOJA
October 30, 2021

Rifillon shqyrtimi ndajë deputetit Adem Hoxha, i akuzuar për sulm dhe kanosje.

TV OPOJA
June 30, 2020

Organizohet turnir futbolli në nder të deshmorit Abdurrahman Gërdellaj

TV OPOJA
June 1, 2022
Exit mobile version