TV OPOJA
Islame

Detyrat e fëmijëve ndaj prindërve

Falënderimi i talon Allahut, i cili librin e tij ia zbriti robit të Vet, u kujdes për ftesën e Tij, dhe e ‎obligoi që njerëzit të thërrasin në të… nga ju le të jetë një grup i cili thërret në të mirë dhe ‎ndalon nga e keqja, ata do të jenë të shpëtuar. ‎
Dëshmoj se nuk ka dikush tjetër që meriton për tu adhuruar, përveç Allahut, Ai është Një dhe i ‎pashoq, Allahu do ta plotësojë dritën e Tij edhe pse jobesimtarët e urrejnë, dhe dëshmoj se ‎Muhamedi a.s. është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira qofshin mbi të, familjen e ‎shokët e tij dhe ata që e pasuan dhe e pasojnë atë. ‎
‎“Për ata që besojnë dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me zullum, atyre u përket siguria ‎dhe ata janë në rrugë të drejtë.” (el-En’am: 82) ‎
Vëllezër të dashur,‎
Në këtë ligjëratë – me ndihmën e Allahut – do të flasim për një detyrë që është nga detyrat më ‎të rëndësishme, për – Detyrat e fëmijëve ndaj prindërve të tyre!‎
O Allah bëji që prindërit tanë të jenë të kënaqur prej nesh. ‎
Allahu i Lartësuar në librin e Tij të ndershëm thotë: ‎
‎“Zoti yt ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Atë dhe t’u bëni mirësi prindërve. Nëse njëri ‎prej tyre, ose të dy, arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre: “Uh!”, dhe mos i kundërshto ‎ata (me fjalë të këqija), dhe drejtohu atyre me fjalë respekti.‎
Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! ‎Mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan kur isha i vogël”. (El-Isra: 23-24) ‎
Dhe, gjithashtu Allahu i Plotfuqishëm, thotë:‎
‎”Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e ‎barti me mund dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj ‎Meje dhe ndaj dy prindërve tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj.” (Lukman: 14)
Falënderimi për Allahun është begati e besimit dhe begati e Islamit, ndërsa mirësjellja dhe ‎respekti për prindërit tonë është edukimi i mirë dhe kujdesi i bukur. ‎
Ne po jetojmë në kohën në të cilën ka humbur mirësia ndaj prindërve, përveç shtëpive fetare, ‎në të cilat ende fëmijët janë të kujdesshëm për detyrat ndaj Allahut dhe ndaj prindërve të tyre.
Për shkak të mosdëgjimit dhe mosrespektimit të prindërve, ka humbur mëshira e Allahut ndaj ‎nesh, është larguar begatia (bereqeti) nga duart e tona dhe është humbur siguria dhe qetësia. ‎Andaj, po jetojmë të pa vlerë, në pikëllim e mërzi! I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na bëjë ‎të sinqertë dhe zemrat tona t’i mbushë me devotshmëri dhe besim. ‎
Nga çdo vëlla musliman dëshiroj që vetveten ta pyes me këto dy pyetje: ‎

‎1 • Cilat janë detyrat e mia ndaj babait dhe nënës time? ‎
2 • A i kam kryer unë këto detyra? ‎
Allahu i Plotfuqishëm, siç cituam më sipër, na thotë: “Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj ‎dy prindërve të tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj.” (Lukman: 14)
Sa namaze të obliguara ne i falim gjatë ditës? Duhet t’i falim pesë namaze, sabahun, dreken, ‎ikindinë, akshamin dhe jacinë. ‎
Ne, në namazin tonë e falënderojmë Allahun – Zotin e botëve – që na bëri musliman, na bëri ‎besimtar në Të dhe në librin e Tij, dhe ne në namazin tonë lutemi për baballarët dhe nënat ‎tona në fund të namazit pavarësisht se a janë të gjallë apo të vdekur.

Mirësia jonë ndaj prindërve tanë nuk përfundon me vdekjen e tyre, apo me vdekjen e njërit ‎prej tyre, Pejgamberi (savs) ka thanë: “Nuk ka musliman, i cili i ka prindërit gjallë, e ai ‎zgjohet në mëngjes dhe prindërit e tij janë të kënaqur ndaj tij, veçse do t’i hapen dy dyer ‎në xhenet. Dhe nëse bie në gjumë si bamirës ndaj tyre, përsëri do t’i hapen dy dyer në ‎xhenet dhe Allahu do të jetë i kënaqur me të…” (Transmeton Bejhekiu) ‎
Që do të thotë, në mëngjes dhe në mbrëmje nga ne kërkohet që të jemi të ndërgjegjshëm ndaj ‎prindërve tonë, në mëngjes dhe në mbrëmje i kemi dy dyer të hapura në xhenet, nëse vdesim ‎do të hyjmë nga njëra prej tyre. ‎
E në të kundërtën e kësaj, thotë: “Nuk ndodh që dikush t’i ketë dy prindërit apo njërin, e ata ‎ta kalojnë natën të hidhëruar ndaj tij, e të mos i hapen dy dyer nga zjarri.” (Trans. Abdu Rrezaku)
‎Duhet të jemi të kujdesshëm nga një çështje shumë e rrezikshme. E ajo është se shumë ‎prindër, e posaçërisht nënat, në momente hidhërimi apo zemërimi, luten kundër fëmijëve të ‎tyre, i mallkojnë dhe i nëmin! Ata e harrojnë se duaja e tyre pranohet, prandaj këta prindër i ‎thërrasim që ndaj fëmijëve të tyre të jenë të mëshirshëm, në vend që të luten kundër tyre i ‎këshillojmë të luten që Allahu t’ia begatojë dhe udhëzojë fëmijët e tyre.

‎“Njëherë nëna e Enesit (r.a.) kishte shkuar te Pejgamberi (savs) për t’u ankuar se Enesi ‎nuk po ulet me të gjatë ushqimit, Pejgamberi (savs) i thotë Enesit (r.a.): ‘Pse ti nuk ha me ‎nënën tënde?’ Tha: ‘O i dërguari i Allahut, unë po frikësohem se mos po e zgjati unë ‎dorën në ushqimin, në të cilin i ka shkuar syri i nënës sime, në këtë mënyrë do të jem ‎mosmirënjohës tek Allahu, Zoti i botëve… kjo është mirësi.”

Tregimi i Alkames:
Transmetohet nga Enes ibn Maliku (r.a.), se një djalosh në kohën e ‎Pejgamberit a.s., i quajtur Alkame, kishte qenë fetar i madh, dorëdhënës i njohur dhe, pas një ‎kohe ishte sëmurë, ndërsa gruaja e tij kishte shkuar te Pejgamberi (savs), për të treguar se burri ‎i saj ishte në prag të vdekjes. Duke dashur që të njoftohej për gjendjen e tij, Pejgamberi (savs) u ‎thotë Bilalit, Aliut, Selmanit dhe Amarit: “Shkoni dhe shikojeni gjendjen e tij, ai ka nevojë për ‎ju.” Ata shkuan e shikuan, pastaj e dërguan Bilalin që ta lajmëronte Pejgamberin (savs) për ‎gjendjen e tij të rëndë, ndërsa Pejgamberi (savs) pyeti: “A i ka ai prindërit gjallë?” ‎
I thanë: “Babai i ka vdekur, ndërsa nëna është një plakë e lodhur. ‎
Pejgamberi a.s. tha: “O Bilal, shko te nëna e Alkames bëji selam dhe thuaji, nëse mundet që ‎të vijë tek unë, apo nëse dëshiron, që unë të shkoj tek ajo?” ‎
Kur e njoftuan ajo tha: Unë do shkoi tek ai. ‎
E mori shkopin dhe shkoi te Pejgamberi (savs) dhe i dha selam.‎
Pejgamberi a.s. i tha: “Bëju e sinqertë, sepse nëse më gënjen, do të më zbresë shpallje nga ‎Zoti: Alkamja si ishte me ty?” ‎
Ajo tha: “O i dërguari i Allahut, është falur, ka agjëruar, ka dhënë sadakë pa masë. ‎
Pejgamberi a.s. i tha: “Si ishte ai me ty?”‎
Ajo tha: “O i dërguari i Allahut, unë jam e hidhëruar me të.” ‎
Pejgamberi a. s. tha: “Pse”? ‎
Ajo tha: “Gruas së tij i ka dhënë përparësi ndaj meje, atë e ka dëgjuar, kurse mua më ka ‎injoruar (kundërshtuar). ‎
Pejgamberi (savs) tha: “Hidhërimi i nënës së tij ia ka ndalur gjuhën nga shehadeti.”‎
Pastaj i tha Bilalit: “Ndize një zjarr që ta hedh në të!” ‎
Atëherë ajo tha: “O i Dërguari i Allahut, fryti i zemrës të digjet para duarve të mia? Si ka ‎mundësi që zemra ime të durojë?” ‎
Pejgamberi (savs) i tha: “Zjarri i xhehenemit është më i fortë dhe i vazhdueshëm, e nëse ‎bëhesh e kënaqur ndaj tij, Allahu do ta falë.” ‎
Ajo pranoi dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, po dëshmoj para Allahut, para teje dhe para ‎atyre që janë këtu prezentë, se unë jam i kënaqur ndaj Alkames!”‎
Pejgamberi (savs) tha: “O Bilal, shko dhe shikoje se a po mundet Alkamja të thotë: La ilahe ‎il-la Allah? Se ndoshta nëna e tij e ka thënë atë që nuk është në zemrën e saj, duke u ‎turpëruar para Pejgamberit a.s.” ‎
Bilali erdhi aty dhe tregoi: “Hidhërimi i nënës së tij e ka ndaluar gjuhën e tij nga shqiptimi i ‎shehadetit. Pasi ajo u pajtua me të, gjuha iu lirua dhe ai atë ditë vdiq, e pastruan dhe ‎Pejgamberi (savs) ia fali namazin e xhenazes, pastaj para varrit të tij u ngrit dhe tha: “O ‎muhaxhirë dhe ensarë, atë që i jep përparësi gruas para nënës së tij, Allahu e mallkoftë ‎dhe nga ai nuk pranohet asgjë (nga veprat e mira)!” ‎
Cili është mëkati i parë ndaj prindërve? ‎Nëse prindërit tonë e kalojnë natën të hidhëruar ndaj nesh, ky është mëkat, xheneti është i ‎ndaluar për mosrespektuesin e prindërve të tij. “Namazi nuk ngrihet nga koka e tre ‎personave: Alkoolisti, mëkatari ndaj prindërve dhe personi që bën zina.” (Trans. Ahmedi)‎
Këta tre persona Allahu nuk i shikon, nuk i pastron nga mëkatet, për ta është e ndaluar era e ‎xhenetit – Allahu na ruajt. ‎
Në ether (hadithe) thuhet: “Ai i cili sillet mirë me prindërit le të veprojë çfarë të dojë nga të ‎këqijat, nuk do të hyjë në zjarr, ndërsa ai që është i padëgjueshëm ndaj prindërve le të ‎veprojë mirë çfarë do të dojë, nuk do të hyjë në xhenet”. Allahu na ruajt. ‎
Nga shkaqet më të mëdha të hyrjes në xhenet është mirësia ndaj prindërve, ndërsa prej ‎shkaqeve më të mëdha të hyrjes në zjarr është mosrespektimi i prindërve. (…)‎
Vëllezër të nderuar, ‎
Ndaj prindërve kemi detyrime edhe gjatë jetës së tyre edhe pasi të vdesin. ‎
Për obligimet gjatë jetës së tyre, Allahu i Plotfuqishëm, thotë: “Zoti yt ka urdhëruar që ta ‎adhuroni vetëm Atë dhe t’u bëni mirësi prindërve. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, arrijnë ‎pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre: “Uh!”, dhe mos i kundërshto ata (me fjalë të këqija), dhe ‎drejtohu atyre me fjalë respekti.” (El-Isra: 23) ‎

Çka do të thotë “UF”: a e keni parë nëse babai plaket, apo nëna, kush duhet kujdeset për ta, ‎kush i mjekon? Djali i tyre ose vajza e tyre, pavarësisht a janë të martuar apo nuk janë, ata janë ‎të urdhëruar me këtë. ‎
Pejgamberi a.s. është pyetur: “Kush ka të drejtë më së shumti nga unë që ta shoqëroj, o i ‎dërguari i Allahut? Tha: “Nëna jote”. Pastaj kush? Tha: “Nëna jote”. Pastaj kush? Tha: ‎‎”Nëna jote”. Pastaj kush? Tha: “Babai yt”. (Buhariu) ‎
Llogarit se babai yt është plakur dhe nuk e bartë vetveten, nuk mundet ta ndalë urinën dhe ‎ndyrësirën nga vendi ku qëndron, a do t’i thuash atij apo nënës sate: UF, a thanë ata kur ti ‎ishe i vogël, a ke parë nënë e cila i thotë UF birit të saj të vogël, apo baba i cili i thotë UF në ‎mesin e natës fëmijës i cili qan e ai duke fjetur.
‎Abdullah ibn Omer (r.a.), gjatë kryerjes së haxhit e sheh një djalosh, duke e bartur një ‎plakë në shpinën e tij dhe ai me të bënte tavafin dhe i thotë: Kush është kjo? Tha: Nëna ‎ime. I tha: Si sillesh me të? Tha: e ushqej, e pastroj dhe me të kam ardhur në haxh duke e ‎bartur me duar. A thua, a i kam dalë hakut asaj? ‎
Qeshi Abdullahu dhe tha: Pasha Zotin, ti nuk ke bërë as sa edhe një zë që ajo e ka lëshuar ‎për ty ditën e lindjes sate, të gjitha që ti je duke i bërë tani për të, ajo i ka bërë për ty, dhe ‎ajo ka shpresuar që ti të jetosh gjatë, ndërsa ti e bën këtë për të, por ia dëshiron vdekjen.” ‎
Nuk duhet që të kalojë një ditë e ti të mos interesohesh se si kalojnë prindërit e tu. ‎

Që fëmijët dhe familja jote të jetojnë në mirësi, ndërsa prindërit e tu të jetojnë në varfëri, një gjë ‎e tillë është e ndaluar, edhe nëse ata janë të pasur dhurata jote sado e vogël ata i gëzon. ‎
Ishe nevojtar në vegjëlinë tënde, babai ka shpenzuar për ty, ishe i vogël dhe i dobët e babai ‎ishte i fortë dhe çdoherë të dha shpresë, ndërsa tani që ti je rritur, e ai është plakur, lodhur, ‎rraskapitur ti të mos interesohesh për të… kjo është turp. ‎
Ai, i cili e dëshiron xhenetin, duhet që prindërit e tij t’i bëjë të kënaqur, qofshin të gjallë apo ‎të vdekur. ‎
Sa mirësi e madhe është që njeriu t’i takojë prindërit e tij në jetë e ata të bëhen shkak për hyrjen ‎e tij në xhenet – me lejen e Allahut. ‎
Por sa fatkeqësi e madhe është që njeriu prindërit e tij t’i takojë të gjallë, por ata bëhen ‎shkaktarë që ai të hyjë në zjarr – Allahu na ruajt. ‎
Nuk lejohet që babai të fle i hidhëruar ndaj teje. ‎
O ju bijtë e prindërve tuaj, keni kujdes nga hidhërimi i prindërve tuaj. ‎
Një njeri erdhi tek Ebu Hanife dhe i tha: O Ebu Hanife, babai im më urdhëron që të shkoj këtu ‎e atje, ndërsa nëna më ndalon, Ebu Hanife i tha: Dëgjoje babanë e mos e hidhëro nënën. I ‎riu u habit dhe i tha: O Ebu Hanife, si komentohet kjo. Ebu Hanife heshti dhe tha: Për nënën ‎tënde janë 3/4 e të drejtave, ndërsa për babanë tënd 1/4, për arsye se nëna është e dobët, ‎pra, qëndro pranë saj dhe mos e hidhëro babanë tënd, tregoji atij se ti këtë e ke bërë për ‎hatër të nënës sate, e cila është e dobët.
‎Ebu Hanife thotë se prindërit kanë të drejtë që fëmijën e tyre ta ndalojnë nga kryerja e ‎Haxhit nëse ata kanë nevojë për të. ‎
Nëse je duke u falur nafile dhe të thërrasin babai apo nëna, ti duhet që ta ndërpresësh ‎namazin, për arsye se ai është sunet apo nafile, ndërsa përgjigjja për prindërit e tu është ‎obligim-farz dhe farzi i paraprin sunetit. Shih në madhështinë e të drejtave!‎
Edhe pas vdekjes ka mirësjellje për ta ‎

‎(1) Pas çdo namazi lutemi për ta, ashtu siç veprojmë edhe gjatë jetës së tyre, pastaj ‎
‎(2) japim sadakë për ta nga pasuria jonë, sepse pasuria jonë është pasuria e prindit tonë, pastaj
‎‎(3) i vizitojmë shokët, miqtë dhe farefisin e tyre. ‎
Ashtu siç vepron ti me prindërit e tu, fëmijët e tu do të veprojnë me ty, këtë e dëshmon edhe ‎realiteti. ‎
Mirëpo, nëse babai apo nëna të urdhërojnë që ta kundërshtosh Allahun, atëherë nuk ka ‎dëgjim të krijesës në mëkat të Krijuesit. ‎
‎“Nëse insistojnë ata, që të më bësh Mua shok për atë që nuk din asgjë, mos i dëgjo, por ‎shoqërohu me ta në këtë jetë me të mirë, e ndiqe rrugën e atij që drejtohet tek Unë; pastaj, ‎tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni punuar.” (Lukman: 15) ‎

/Miftar Ajdini/

Referencë: “TË DREJTAT NË ISLAM”

Lajme të përafërta

Për ta ndërtuar xhaminë banorët shiten edhe tokat e tyre!(Video)

TV OPOJA
November 19, 2018

Komandantet e Policisë në Dragash vizituan kryetarin e sapo emëruar të KBI-së

TV OPOJA
November 13, 2020

Kryetari i KBI-së Ajhan ef. Beqiri uron muajin e Ramazanit

TV OPOJA
April 23, 2020
Exit mobile version