Asamblisti i Komunës së Dragashit, Granit Rifaj, është dënuar me 100 euro gjobë, për mos deklarim të pasurisë.
Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, pasi që i akuzuari Rifaj, e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Unë këtë veprim e kam bërë në mënyrë të paqëllimshme, për gjashtë muaj rresht. Në atë kohë kam qenë jashtë vendit, nëna ime ka qenë e sëmurë dhe unë kam qenë në spital duke e shoqëruar atë. E pranoj fajësinë edhe pse e kam bërë paqëllim, më vjen keq”, ka thënë i akuzuari Rifaj.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar prokurori Shpend Binaj, pasi që siç ka thënë ai, është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në pajtim me dispozitat ligjore.
Gjykatësi Bekri Vehapi, gjithashtu të akuzuarin Rifaj, e ka obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Granit Rifaj, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, asamblist në Komunën e Dragashit, nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose detyrimeve financiare.
Sipas aktakuzës, këtë deklarim është dashur ta bëjë në vitin 2016, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në afatin e paraparë me ligj.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportim ose raportim i rreme i pasurisë ,i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi