TV OPOJA
Lajme nga Opoja

Dasma e Opojës i kthehet sërish traditës

Dasma e Opojës konsiston në një mori adetesh tradicionale që janë kultivuar dhe konservuar me shekuj. Të një rëndësie të posaçme janë dhe ‘Lodrat’ që shërbejnë si muzikë kryesore gjatë ceremonisë së dasmës
Disa nga vlerat autoktone tradicionale të ceremonisë martesore gjatë periudhës 1989-1999 ishin ndërprerë së kultivuari për shkaqe politike. Një nga këto tradita janë dhe ‘Lodrat’ (tupanat që shërbejnë si muzikë kryesore gjatë ceremonisë së dasmës).
Prandaj, ndodhi siç ndodhi, popullata e kësaj ane ju kthye sërish traditave të vjetra që kishte trashëguar për një kohë të gjatë.
Një element i veçantë që vlen të theksohet është muzika e dasmës, që zhvillohej në dy drejtime. Nga njëra anë, vajzat e mëhallës, të cilat zakonisht fillonin të këndonin së paku dy javë para ditës së dasmës dhe vazhdonin edhe dy ditë tjera pas dasmës. Ndërkaq, nga ana tjetër, janë mjeshtrit e instrumenteve tradicionale me instrumentet e tyre, tupana (që nga popullata e kësaj ane quhen ‘Lodra’), si dhe nga surlet apo zurlat (që nga popullata e Opojës njihen me emrin ‘Cyrle’). Instrumentistë të tillë janë përgjithësisht të entitetit rom nga Prizreni.

Në ditën e dasmës këta instrumentistë të parapaguar, më parë bënin muzikë deri në tri ditë, ndërsa viteve të fundit është bërë reduktim në një ditë, apo më së shumti dy ditë. Aranzhimi i këtyre instrumentistëve kryesisht bëhet disa muaj më parë, për shkak se ata janë të zënë, pra të parapaguar nga dikush, ngase kryesisht dasmat bëhen të shtunave dhe të dielave, kryesisht gjatë stinës së verës.
Andaj, në fokus do të kemi zhvillimin vetëm të ceremonisë së dasmës nga një fshat i Opojës. Por, që nuk ka ndonjë dallim esencial ndërmjet fshatrave të Opojës.
Sot, në orën shtatë të mëngjesit, të rinjtë e fshatit Kosavë dolën në hyrje të fshatit për t’i pritur Tupanat, ku sipas zakonisht, gjatë rrugës për te shtëpia ku zhvillohet dasma, burrat bëjnë ‘nibet’(akti gjatë të cilit burrat e dëgjojnë me vëmendje muzikën dhe njëkohësisht i shpërblejnëlodraxhinjtë (mjeshtrit apo instrumentistët e tupanëve, që në këtë trevë thuhet u qesin pare). Kur ata arrijnë te shtëpia e dhëndrit, në oborr të shtëpisë fillojnë të vallëzojnë burrat dhe gratë së bashku. Më pas, burrat shkojnë në lamë, vendi ku do t’i presin mysafirët e ftuar për dasmë, ndërsa nga ana tjetër, vajzat fillojnë të këndojnë këngë dasmash, të përcjella nën ritmin e ‘dajres’ (defit).
Siç duket, deri më tani ceremonia manifestohet në dy kahe që duhet vështruar nga dy prizma të ndryshme. Pra, nga njëra anë manifestimi i burrave, kurse nga ana tjetër ai i grave, duke evoluar herë në pikëtakime e herë në ndarje.

Në lamë vallëzohet “Kollçoja” (valle tradicionale opojare që ngërthen disa valle burrash, por kah fundi edhe disa valle grash). Ndërkohë që të gjithë mysafirët pinë kafe dhe lëngje nën ritmet e muzikës, duke shikuar valltarët më të mirë të kësaj ane që vallëzojnë në mes të lamës.
Në mesin e ditës, të gjithë dasmorët fillojnë të hanë drekë, duke filluar nga burrat. Zakonisht fqinjët e dhëndrit përkujdesen për ushqimin duke shtruar tavolinat dhe duke i shërbyer të gjithë të pranishmit në gazmend. Pas burrave është radha e grave që të drekojnë. Ndërkaq më pas, të gjithë dasmorët fillojnë përgatitjet për të shkuar krushqi. Në të kaluarën, krushqit kryesisht shkonin me autobus që paguhej nga i zoti i dasmës, kurse gratë kryesisht me vetura. Ndërkaq, pas luftës së fundit në Kosovë, numri i veturave u shtua dhe tashmë shumica e dasmorëve shkojnë krushqi me veturat e tyre. Kështu që rrallëherë shtrohet nevoja për autobus.
Rreth dy orë para kohës së caktuar për ta marrë nusen, gratë dhe vajzat fillojnë të zbukurojnë automjetet, e më pas fillojnë të rregullohen dhe të vishen me teshat më të bukura për të shkuar krushqi. Po kështu edhe djemtë rregullohen me teshat më të mira, shumë prej tyre me kostume.
Është zakon, që krushqit e dhëndrit t’i presin edhe banorët e vendlindjes së nuses. Në ballë të krushqve qëndron bajraktari me flamurin kombëtar në dorë. Mirëpo, që nga pavarësimi i Kosovës, dasmorët përdorin të dy flamujt: atë shtetëror të Republikës së Kosovës dhe flamurin kombëtar.

Tradicionalisht, burrat bëjnë mikpritjen e burrave, kurse gratë i mirëpresin gratë.
Atje luhen tri valle nga krushqit, ndërsa vallet tjera të Kollçojës vazhdojnë të luhen me radhë nga mikpritësit (familjarët dhe bashkëvendësit e nuses). Gjatë asaj periudhe kohore, ndodh edhe kurorëzimi fetar, sipas traditës në lamën e burrave në prezencën e dëshmitarëve, posaçërisht familjarë të afërm nga ana e dhëndrit dhe nuses. Gjatë qëndrimit në pritje të nuses, për shkak të kohës së limituar, krushqit shërbehen vetëm me lëngje të freskëta, në të kaluarën me limonada, ndërsa tani me lëngje të gatshme të ambalazhuara-fabrikuara. E tërë kjo ceremoni zgjat derisa nusja të jetë gati dhe të përshëndetet nga familjarët e saj, me ç’rast ata i urojnë fat, shëndet dhe lumturi në familjen e re.
Dasma e Opojës ka konservuar shumë tradita nga e kaluara, mbase disa janë ekzagjeruar aq shumë sa nganjëherë bëhen të rënda për ata që nuk kanë kushte dhe aq të mira, por që për shkak të namit dhe traditave nuk mund t’i evitojnë duke u dalluar nga të tjerët.
Kur nusja hyn në oborrin e shtëpisë së dhëndrit, zakonisht dhëndri qëndron lartë në ballkon apo dritare, nga ku hedh bombona, gurabija e sheqerka mbi kokën e nuses, të cilave u gëzohen fëmijët sa për t’u ëmbëlsuar.
Me të sjellë nusen në oborrin e shtëpisë së dhëndrit, vajzat fillojnë ta këndojnë nusen me këngë të ndryshme, ku e lavdërojnë dhe e përçmojnë. Një nga ato këngë që mund t’i shkoqisja janë si në vijim:

//Gji ka drondafili gji po rri palë/

o mori nuse hijon ja ke marrë//

//Kishom bartë guros me bohçe/

s’i kisha lonë gjithë ato shoqe//

Pastaj, gratë fqinje i sjellin nuset e djemve të tyre për t’i përkrahur me nusen e sapo
marrë. Pak më vonë, sipas traditës, dhëndri shkon në shtëpi të ndonjë kushëririt më të afërm për t’u rregulluar dhe bërë gati për të hyrë dhëndër, ku zakonisht mblidhen të gjithë të rinjtë e lagjes që gjatë asaj kohe të përgatitjes së dhëndrit përgatitet një koktej dhe bëhet shaka. Pas përgatitjes, thirren Lodrat dhe duke bërë nibet gjatë rrugëtimit nga ajo shtëpi e deri te shtëpia e dhëndrit, ku gjatë kësaj rruge dhëndri qëndron në mes duke i ndenjur anash dy kushërinjtë e tij më të afërm në formë të truprojave deri sa e çojnë atë në dhomën e tij të dhëndërisë. Para se ty hyjë në dhomën e vet, dhëndri përcillet fillimisht nga një ceremoni fetare, më pas fillojnë tupanët dhe ndonjë krismë në shenjë gëzimi si kurorëzim i ceremonisë martesore. Pastaj, dhëndri i përcjellë vazhdimisht nga dy të afërm përshëndetet me anëtarët e familjes dhe të tjerët, ndërkaq, të rinjtë e mëhallës qëndrojnë në radhë para derës së tij duke e grushtuar në shpinë sipas zakonit.
Dasma opojare, pikën kulminante të saj e arrin kur dhëndri me nusen hyjnë në dhomën e tyre. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ceremonia martesore mbaron me kaq.
Nga kureshtja qëndrova së bashku me të rinjtë e lagjes deri në mëngjes, ku ata e këndonin dhëndrin dhe nusen tek dera e tyre. Ku kohë pas kohe dhëndri u jep të rinjve te dera ndonjë çokollatë.
Sipas traditës, vajzat vazhdojnë me adete të ndryshme rreth tri ditë pas dasmës. Ndërkaq, për një kohë të gjatë shkojnë rreth mbrëmjes për ta parë nusen duke ja dhënë dorën, ku zakonisht e këndojnë për temena.
Të gjitha shpenzimet për ceremoninë e dasmës i mban i zoti i dasmës. Në të kaluarën, mysafirët e ftuar për dasmë binin bakshishe të shtrenjta, por ky zakon është reduktuar në masë të madhe, për të mos thënë është ndërprerë krejtësisht.
Mund të thuhet se dasma e Opojës ka konservuar shumë tradita nga e kaluara, mbase disa janë ekzagjeruar shumë sa nganjëherë bëhen të rënda për ata që nuk kanë kushte dhe aq të mira, por që për shkak të namit dhe traditave nuk mund t’i evitojnë duke u dalluar nga të tjerët.

Lajme të përafërta

Në Bresanë është mbajtur turniri “Bresana e Bashkuar”

TV OPOJA
August 10, 2019

Bjeshkët e Sharrit në territorin e Dragashit

TV OPOJA
November 9, 2018

Sot, u bë çertifikimi për ciceronët e rinjë për regjionin e Prizrenit.

TV OPOJA
June 7, 2019
Exit mobile version