Buxheti për shërbimet sekrete i administratës Trump, është rritur ndjeshëm në vitin 2018, në çastin që SHBA-ja po përballet me sulmet kibernetike nga Rusia, Kina dhe Koreja e Veriut.
Sipas shifrave zyrtare të publikuara sot, SHBA-ja i ka dedikuar 81,5 miliardë dollarë aktiviteteve të shërbimeve sekrete civile dhe ushtarake në vitin 2018, në SHBA dhe jashtë vendit, ose 11,6% më shumë se sa një vit më parë.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi në një komunikatë se buxheti që i ishte dhënë për aktivitetet e shërbimeve sekrete ushtarake gjatë vitit fiskal, që përfundoi në shtator, arrinte në 22,1 miliardë dollarë, kundrejt 18,4 miliardë që ishte në 2017.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Shërbimeve Sekrete Kombëtare (DNI) njoftoi se buxheti që ishte dhënë gjatë vitit fiskal që kaloi për aktivitetet e shërbimeve sekrete civile arriti në 59,4 miliardë dollarë (54,6 miliardë vitin e kaluar).