TV OPOJA
Opinione

Atdheu nuk urrehet dhe nuk refuzohet për shkak të pushtetit të padrejtë

Thuhet se një grup maceve e kishin dëbuar një maçok të vjetër, sepse po fliste shumë pa ‎dijeni, po hante shumë, ndërsa po punonte pak. Maçoku i vjetër shkoi dhe kërkoi strehim te ‎qeni dhe deshi që ai t’i ndihmonte për tu hakmarrë ndaj maceve. Qeni e pranoi kërkesën e ‎tij, i mblodhi miqtë e tij qentë, dhe e vendosi maçokun e vjetër në ballë të tyre që të jetë ‎udhërrëfyes. Ky mashtrim i tij doli të jetë i suksesshëm, sepse macet u befasuan nga sulmi ‎dhe pësuan humbje të rëndë në territorin e tyre.‎

Maçoku i vjetër filloi ta tund bishtin e tij në shenjë mirënjohjeje ndaj qenve që e ndihmuan ‎për ta fituar grupin e maceve me të cilat dikur jetonte. ‎

Atëherë qentë i thanë: “O budalla, dije se qentë nuk do të mbajnë në shtëpinë (atdheun) ‎nga e cila të dëbuan macet. Nëse ‘populli’ yt tek ti do të shihnin ndonjë të mirë, nuk do ‎të dëbonin ty. Nëse ti do të ishe i besueshëm dhe besnik kurrë nuk do ta kishe zbuluar ‎vendin ku jetojnë macet dhe nuk do t’i kishte tradhtuar ato. Nëse ti do të ishte i fortë, ‎nuk do të kishe kërkuar strehim tek ne. Prandaj, bashkohu me popullin tënd. Ndërsa, sa ‎ju përket qenve, dije dhe mbaje mend se ata nuk janë një lloj që themelojnë shoqëri ‎bamirësie.”‎

Mesazhi i këtij tregimi është:

Atdheu mund të dëmtohet nga ndonjëri prej bijve të tij, por ‎bamirësia ndaj atdheut është detyrë edhe kur pushteti është i padrejtë. Sepse atdheu nuk ‎është i njëjtë me pushtetin! Ashtu siç na është urdhëruar dashuria ndaj prindërve tanë, ‎pavarësisht a i kanë kryer ata detyrat e tyre ndaj nesh apo jo. Nëse prindërit e lënë pas dore ‎detyrimin e tyre për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve dhe nuk e kryejnë siç duhet, kjo nuk ‎do të thotë se ne nuk jemi të detyruar tu bëjmë bamirësi. E njëjta gjë është edhe me atdheun. ‎Mu ashtu siç nuk mund të justifikohet me asgjë mosbindja ndaj prindërve, po ashtu me asgjë ‎nuk mund të justifikohet tradhtia ndaj atdheut.‎

Historia dëshmon, se tradhtarët e atdheut nuk janë respektuar, madje as nga armiqtë, për të ‎cilët ata kanë punuar, për ta goditur me thikë në shpinë atdheun e tyre.‎
Napoleoni në një nga betejat kundër Austrisë e kishte angazhuar një oficer austriak, i cili ‎hollësisht e kishte informuar atë për çdo lëvizje të ushtrisë austriake, dhe falë tradhtisë së ‎këtij oficeri, Napoleoni kishte arritur ta mposhtë ushtrinë austriake. Kur oficeri tradhtar kishte ‎shkuar për ta marrë shpërblimin për tradhtinë e tij, Napoleoni as nuk ishte ngritur nga karriga ‎e tij për t’i shprehur mirëseardhje, por e kishte marrë një qese me monedha ari dhe ia kishte ‎hedhur para tij. I befasuar nga një veprim i tillë, oficeri austriak kishte thënë: “Unë kam ‎menduar se do ta kem privilegjin dhe nderin që t’i shtrëngoj duart me perandorin e nderuar!” ‎Me atë rast, Napoleoni ishte përgjigjur: “Ari dhe paraja të takojnë ty dhe atyre si ti, ndërsa ‎sa i përket dorës sime, dije se unë nuk i shtrëngoj duart me tradhtarët e atdheut të tyre.”‎

I Dërguari i Allahut (savs), na e ka mësuar mësimin më të madh në histori për bamirësinë ‎ndaj atdheut. Populli i tij e përgënjeshtruan, e akuzuan si magjistar dhe si njeri të çmendur, e ‎izoluan nga shoqëria, i keqtrajtuan shokët e tij, dhe të gjitha këto në fund deshën t’i ‎kurorëzojnë me vrasjen e tij. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (savs), pavarësisht nga të gjitha ‎këto, kur u detyrua ta linte vendin e tij – Meken, u ndal në periferi të Mekës dhe i kthyer kah ‎atdheu i dashur, tha: “Pasha Allahun, ti je vendi im më i dashur në Tokë, dhe sikur të ‎mos më dëbonte populli im, unë kurrë nuk do të isha larguar nga ti.”‎

Pastaj një kohë të gjatë vazhdoi konflikti mes Pejgamberit (savs) dhe popullit të tij, sepse ‎bashkatdhetarët e tij me çdo kusht donin ta shuanin dritën e Islamit dhe ta ndalonin ‎përhapjen e tij, mirëpo Allahu i Plotfuqishëm e ndihmoi Pejgamberin e Tij dhe besimtarët, ‎dhe përcaktoi që Pejgamberi (savs), i cili nga Meka doli fshehurazi nën errësirën e natës, të ‎hyjë në qytetin e dashur, në mes të ditës me ushtrinë e tij fitimtare dhe çliruese, të cilës ‎populli i tij nuk mundi t’i rezistojë. Dhe atëherë, kur kishte mundësi që të hakmerrej ndaj tyre ‎për të gjitha krimet e kryera, ai u tha atyre: “Shkoni, ju jeni të lirë!” ‎
Përveç faljes në një situatë kur kishte fuqi t’i ndëshkonte dhe të hakmerrej, Pejgamberi ‎‎(savs), deshi edhe të na mësojë se atdheu nuk urrehet dhe nuk refuzohet, pavarësisht nga ‎padrejtësia që ndjejmë dhe përjetojmë në të.‎
Edhem Sherkavi; http://saff.ba//‎

Përkthim: Miftar Ajdini

Lajme të përafërta

Nënkryetari i VV-së në Sharr: “KU JANË DORËHEQJET MORALE?!”

TV OPOJA
May 22, 2019

Qeveri e dështuar dhe e pa përgjegjshme ndër vite

TV OPOJA
July 28, 2020

Kronologji Historike mbi elementin historik Dardan në Kosovë

TV OPOJA
April 11, 2021
Exit mobile version