TV OPOJA
Aktualitet

32 vjeçari Bajram Neshati nga Opoja merr drejtimin e projektit më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë!

Shkruan: Demir Reshiti

Opojani Bajram Neshati, në 27 nëntor të vitit 2023, është zgjedhur Drejtor i projektit të ruajtjes së energjisë, projekt ky me vlerë prej 181 milionë dollarësh amerikanë, që njëherësh është projekti më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë në dekada. Projekti në total kap shumën prej 237 milionë dollarësh (202 milionë dollarë grant nga Qeveria amerikane dhe 35 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës).

Bajram Neshati është i lindur më 16.04.1991 në fshatin Kuklibeg të Opojës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje ku është dalluar për sukses dhe sjellje shembullore. Si fillorist ka marrë pjesë në kuize dhe gara të ndryshme diturie në nivel komunal, rajonal dhe kombëtar. Shkollimin e mesëm (gjimnazin e përgjithshëm) e ka kryer në Sharr me sukses dhe sjellje shembullore. Fakultetin e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike (FIEK), drejtimi sistemet elektroenergjetike e ka përfunduar në afat rekord dhe me notë mesatare të lartë në Universitetin e Prishtinës (UP). Si student i dalluar, krahas bursës universitare ka përfituar bursë edhe nga KOSTT-i. Edhe studimet e nivelit master i ka përfunduar gjithashtu në afat rekord dhe me notë mesatare të lartë në Fakultetin e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike (UP) ku ka përfituar bursë nga MASHT. Në të njëjtin fakultet (FIEK) në nëntor të këtij viti (2023) është pranuar në studimet e doktoratës në programin inxhinieri elektrike dhe kompjuterike.

Bajrami është autor dhe bashkautor i disa punimeve shkencore nga lëmi i energjetikës të publikuara në revista të njohura ndërkombëtare. Ka qenë gjithashtu pjesëmarrës aktiv në konferenca, punëtori, simpoziume, forume e të ngjashme, vendore e ndërkombëtare. Ka kryer gjithashtu trajnime të panumërta, kryesisht profesionale, në vend dhe jashtë vendit nga të cilat është pajisur me certifikime adekuate. Dy vite akademike ishte asistent në FIEK.

Edhe pse në moshë të re, Bajrami ka nëntë vite përvojë pune profesionale në KEDS dhe KESCO, nga të cilat tetë vite në pozita të larta udhëheqëse! Falë aftësive dhe shkathtësive të larta profesionale është caktuar anëtar në pesë grupe punuese ndërkombëtare në sektorin e energjisë në kuadër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë të Vjenës, ku Kosova është anëtare e traktatit; Anëtar i Grupit punues për Sigurinë e Furnizimit me Energji në Evropën Juglindore me USAID/USEA; Anëtar i Grupit punues nacional për hartimin e ligjit për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE); Anëtar i Grupit punues për hartimin e strategjisë së Energjisë së RKS (2023-2032); si dhe Anëtar i Shoqatës profesionale CIGRE KN Kosovë.

Nga korriku i këtij viti është i angazhuar në Ekipin për zhvillimin e projektit Kompakt të MCC-së amerikane, ekip ky i themeluar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës në vitin 2019.


Në 27 nëntor të vitit 2023, është zgjedhur Drejtor i projektit të ruajtjes së energjisë, projekt ky me vlerë prej 181 milionë dollarësh amerikanë i cili njëherësh është projekti më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë në dekada. Projekti në total kap shumën prej 237 milionë dollarësh (202 milionë dollarë grant nga Qeveria amerikane dhe 35 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës).

2023 vit i arritjeve të mëdha të Bajramit

Viti 2023 ishte njëri nga vitet më të suksesshme në karrierën profesionale të Bajram Neshatit. Në një postim në profilin e tij në facebook, Bajrami është shprehur se ndihet i lumtur por edhe i emocionuar që ka marrë drejtimin e projektit më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë, në dekada! Ai me këtë rast (në gjuhën angleze) i ka renditur disa nga të arriturat më të mëdha profesionale gjatë vitit 2023 të cilat, të përkthyera në gjuhën shqipe, po ia bashkëngjis këtij shkrimi:

1. Në pranverë, pjesëmarrës në Programin e Lidershipit për Vizitorët e Huaj (IVLP), financuar nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së;

2. Në verë i bashkëngjitet projektit Kompakt të MCC-së, si pjesë e CDT-së (Ekip i themeluar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës në vitin 2019);

3. Në vjeshtë pranohet në studimet e doktoratës (PhD); dhe

4. Tani së fundmi kur dimri po afrohet, zgjidhet Drejtor i Projektit të Ruajtjes së Energjisë përmes Sistemit të Baterive (BESS), në kuadër të Millennium Challenge Account Kosovo (Entiteti përgjegjës për implementimin e projektit Kompakt të MCC-së në vlerë prej 237 milionë dollarësh amerikanë).

Në fillim të muajit prill të këtij viti kam bërë një artikull të shkurtër kushtuar pjesëmarrjes së Bajramit në International Visitor Leadership Program (IVLP) i cili është programi kryesor i shkëmbimit profesional i Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Shkrimin e titulluar: Opojani Bajram Neshati pjesmarrës në International Visitor Leadership Program (IVLP)!, po ia bashkëngjis këtij shkrimi.

Lajme të përafërta

Kompania ” Universal Comerc ” ka financuar projektin për ngritjen edhe të një sherife të minares në Fshatin Bellobrad

TV OPOJA
September 13, 2018

Nesër fillon shitja e Zogjve të mishit në fermën Eko Sharri në fshatin Kuk (NJOFTIM)

TV OPOJA
March 1, 2024

E drejtojm gishtin nga institucionet, ndersa personalisht shkaterrojm

TV OPOJA
January 2, 2020
Exit mobile version